Në lagjen “Goricë”në Berat po kryhet restaurimi i çatisë dhe fasadave të banesës Gjikdhima, monument kulture kategori e II.

Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se mbas zbërthimit të çatisë aktualisht është duke vazhduar puna për restaurimin e saj duke bërë dhe konsolidimin e mureve anësore.

“Po trajtohen edhe elementet e strehës së çatisë, sipas modelit të punuar me lule,  teknikë tradicionale e qendrës historike”, thekson DRTK Berat.

Kjo ndërhyrje kryhet në kuadër të punimeve të mirëmbajtjes dhe restaurimit falë bashkëpunimit me IKTK- Tiranë dhe mbështetjes së Ministrisë së Kulturës.

Banesat karakteristike të Beratit, reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.

Këto banesa, një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

gorice7 gorice4 gorice3 gorice2 gorice1 gorice9-768x543

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re