14 tetor Në kishën e Shën Kollit pranë Bane Dudës në lagjen Kala, monument kulture i kategorisë së parë i shekullit XIV, po kryhen punimet restauruese për muraturën e fasadës perëndimore.

Drejtora Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, thekson se “restaurimi i çatisë së kishës e shpëtoi atë përfundimisht atë nga rreziku i degradimit por tashmë, CHWB -Albania dhe DRTK -Berat janë duke u përkujdesur edhe për restaurimin e muraturës së fasadës perëndimore”.

Sipas DRTK-së, nën mbikëqyrjen e specialistëve të DRTK dhe të mjeshtrit Xhoxhi Fani përveç restaurimit kursantët po trajnohen duke u fokusuar në fazën e mirëmbajtje/restaurimi në këtë monument të rëndësishëm.

“Pas pastrimit e larjes në mënyrë mekanike të pjesës së muraturës ku elementi lidhës ka qenë shume i degraduar, po ndërhyhet me injektimin e fugatim me llaç – gëlqere qull të stazhionuar në raportin 1:3. Pastrimi më pas me furçë teli në fazën finale do të mund të nxjerrë në dritë fasadën perëndimore në të cilën prej dekadash nuk ish ndërhyrë”, shprehet DRTK Berat.

 

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta.