Dy bashkëshortët Festim dhe Elida Selika janë rrahur me sende të forta në banesën e tyre nga 3 persona që kishin shkuar për një sqarim.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjeroven të Njësisë Administrative Velabisht në rrethit e Beratit, në sy të dy fëmijëve të mitur 4 dhe 3-vjeç.

Pak përpara se tre personat të shkonin në banesën e familjes Selika, e kanë parë kryefamiljarin Festim Selika duke pirë kafe në një lokal në fshatin Velabisht me nipin e tij, me të cilin ata kanë pasur një konflikt të mëparshëm.

Duket se kjo kafe ka qënë edhe sebepi i sherrit që ka ndodhur në banesën e çiftit Selika ku 3 personat, njëri prej të cilëve bashkëfshatrari i tyre, i kanë kërkuar llogari Festimit se pse po pinte kafe me personin që ata ishin në konflikt.

Në debat e sipër,ata kanë qëlluar disa herë në kokë Festimin, i cili ka rënë pa ndjenja. Pasi ka ndërhyrë gruaja e tij, Elida ata e kanë goditur edhe atë me gur në kokë dhe pasi e kanë përplasur disa herë në mur, e kanë qëlluar me shkelma e grushta në trup.

Pasi 3 agresorët janë larguar, Elida ka njoftuar policinë dhe çifti është dërguar me hematoma të shumta në Spitalin Rajonal të Beratit.

Gruaja ka marrë 3 çarje të thella në kokë dhe plagë të shumta në trup, ndërkohë që bashkëshorti i saj është në gjendje më të mirë shëndetësore. Duke treguar të gjithë ngjarjen që terrorizoi edhe 2 fëmijët e tyre, çifti Selika kërkon nga shteti që përgjegjësit e këtij agresioni të vihen përballë drejtësisë, pasi ata pohojnë se agresorët e tyre nuk janë arrestuar dhe kjo i bën të ndihen më të kërcënuar për jetë.

Mjeku kirurg në Spitalin Rajonal të Beratit, Piro Leka, ka konfirmuar se, çifti ka shenja dhune në trup por më e dëmtuara nga goditjet e marra është gruaja Elida, e cila ka marrë goditje të rënda në kokë e në trup.

Ndërkohë nga ana tjetër policia e Beratit ka arrestuar njërin prej agresorëve ndërsa ka nisur procedim në gjendje të lirë për dy shtetasi e tjerë të përfshirë në ngjarje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re