29 janar Kalaja e lashtë e Beratit, e vendosur mbi kodër dhe e banuar edhe në ditët e sotme, është një nga destinacionet kryesore turistike në vend.

Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat po punojnë për rivendosjen e tabelave informuese në lagjen “Kala”, konkretisht në rrënojat e Xhamisë së Kuqe dhe Xhamisë së Bardhë.

Sipas DRTK-së, këto tabela i vijnë në ndihmë turistit për t’u informuar mbi vlerat kulturore, historikun dhe arkitekturën e monumenteve të qytetit.

DRTK i bën apel të gjithë qytetarëve që vizitojnë këtë monument kulture të përkujdesen e ta mirëmbajnë për një imazh dhe shërbim më të mirë ndaj turistëve.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit.

Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re