27 nëntor- Rritja e kapacitetit akomodues, përmirësimi i shërbimeve në hoteleri dhe restorante, shtimi i produkteve suvenire dhe ofrimi i guidave cilësore lokale ishin në qendër të takimit të organizuar nga bashkia e Beratit me operatorë turistikë dhe ekspertë të USAID-it mbi kërkesat e tregut turistik aziatik.

Në takim mori pjesë nënkryetari i bashkisë së Beratit, Çlirim Brisku, përfaqësues të agjencive dhe operatorëve turistikë lokalë dhe përfaqësues nga Drejtoritë e Turizmit dhe Taksave pranë bashkisë.

Gjatë takimit ekspertë të agjencisë më të madhe që operon me tregun japonez dhe atë aziatik në Shqipëri “Albania Eksperience”, Lavdërim Hoxha dhe Nevila Popa, eksperte e programit PLGP të USAID-it, prezantuan çështje që kanë të bëjnë me ofertën dhe kërkesat e tregut aziatik, kryesisht japonez, në fushën e akomodimit dhe shërbimeve turistike.

Në përfundim të takimit, pati takime ndërmjet bizneseve lokale dhe përfaqësuesve të “Albanian Eksperience”, ku u shkëmbyen ide për bashkëpunime të ndërsjellta. /k.s/j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re