24 tetor- “Llogaridhënia publike për parandalimin e krimit”, ishte takimi i zhvilluar sot në Berat, i cili konsistonte në rritjen e bashkëpunimit midis të gjithë aktorëve në funksion të përmirësimit të sigurisë publike.

Ky takim, i organizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Beratit, u mbështet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës.

Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, të komuniteteve fetare, administratorë të Lagjeve dhe të Njësive Administrative, përfaqësues të institucioneve arsimore, të qeverisë së nxënësve dhe të këshillit të prindërve, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe të Biznesit, organizata joqeveritare dhe grupe të tjera interesi.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i IDM, Albania, Sotiraq Horoni, i cili shpjegoi qëllimin e organizmit të këtij takimi dhe modalitetet e zhvillimit të tij.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Beratit, Artan Duka, në referatin e tij vuri në dukje punën e mirë që është bërë në Qarkun e Beratit për parandalimin e krimit, duke theksuar se vetëm vitin e fundit rezultonte të mos kishte asnjë krim të rëndë, çka tregonte për një bashkëpunim të frytshëm midis Policisë së Shtetit, institucioneve vendore dhe komunitetit.

Më tej Duka në referatin e tij trajtoi disa nga problematikat e rendit, sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit.

Ndërsa kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, vlerësoi bashkëpunimin korrekt dhe të vazhdueshëm me Drejtorinë Vendore të Policisë së Beratit, e cila ka sjellë një qasje të re të organizmit të strukturave të saj me institucionet vendore dhe komunitetin, duke rritur kështu jo vetëm shkallën e besimit të saj, por duke krijuar ndërkohë një frymë të re bashkëpunimi me të gjithë aktorët dhe faktorët përbërës të këtij komuniteti, në funksion të përmirësimit të sigurisë publike.

Takimi vazhdoi më tej në formën e një bashkëbisedimi mes të pranishmëve./k.s/j.p/






Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re