Policia e Beratit ka proceduar penalisht dy persona të cilët transportonin pllaka guri dekorative të marra nga Mali i Tomorrit.
Mësohet se dy shtetasit me iniciale C.Q., 44 vjeç dhe A.Q., 49 vjeç, po qarkullonin me një kamion me pllaka guri dekorative pa dokumentacionin përkatës, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit.
Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Goditet një rast tjetër i paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit.
Vijon zbatimi i planit të masave për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore.
Procedohen penalisht dy shtetas të cilët po transportonin pllaka guri dekorative.
Në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, evidentimit dhe parandalimit të krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht shtetasit C.Q., 44 vjeç, banues në Poliçan, (administrator subjekti) dhe A.Q., 49 vjeç, banues në Poliçan.
Shtetasi A.Q, u konstatua në aksin rrugor Çorovodë-Poliçan, me një mjet tip “Kamion”, në pronësi të shtetasit C.Q, të ngarkuar me pllaka guri dekorative pa dokumentacionin përkatës, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit, gjithashtu nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar.
Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.