Në qytetin e Beratit vazhdojnë punimet në 5 kantieret e ngritura nga projekti i Ujësjellës-Kanalizimeve, një investim i mundësuar nga mbështetja e KFW dhe Qeverisë Shqiptare.

Bashkia e Beratit bën të ditur se “në përfundim të këtij projekti 5 lagjet e qytetit në rajonin 1 si dhe lagjja “Goricë”, do të jenë të furnizuara me ujë të pijshëm brenda të gjithë parametrave cilësorë dhe përmirësim i ndjeshëm i furnizimit deri në 24 orë”.

Sipas bashkisë, fillimi i ndërtimit të kolektorit qendror në pjesën hyrëse të qytetit hap rrugën për zgjidhjen përfundimtare në eliminimin e ndotjes së lumit Osum nga ujërat e zeza.

Banorët e qytetit të Beratit do të marrin zgjidhje shumë shpejt për shqetësimet e ngritura prej vitesh.

Pas përfundimit të këtyre projekteve do të shmanget gjithashtu  ndotja e habitatit ujor dhe duke bërë të mundur që lumi Osum të kthehet në hapësirën blu kaq të munguar të panoramës së qytetit, siç e meriton.

Gjithashtu projekti parashikon ndërhyrje në zonat e banuara kryesisht në lagjen “Goricë” dhe lagjet veriore të qytetit për renovimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë duke bërë të mundur shtimin e orëve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët si dhe rritjen e eficiencës ekomomike dhe operacionale të ndërmarrjes për menaxhimin e ujit në qytet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re