18 janar – Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat vazhdojnë punimet e restaurimit në banesat “monument kulture” në lagjen “Kala”.

Sipas DRTK, Berat, pas përfundimit të punimeve për montimin e portës, e cila u trajtua nga specialistët marangozë, si dhe bërja e çatisë së saj, aktualisht po punohet për ndërhyrjen në fasadë duke trajtuar të gjithë elementët e saj duke filluar nga elementët drusorë deri të suvatimi dhe lyerja me sherbet gëlqereje.

Më herët specialistët punuan për prishjen e suvatimit të dëmtuar të fasadës, heqjen e pareteve të dërrasës së murit çatma, të cilat ishin të amortizuara nga lagështia.

Po ashtu u morën masa për restaurimin e dritareve, kolonave të qoshes si dhe fashaturave horizontale.

Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re