21 dhjetor- Autori Vasfi Samimi i ka kushtuar një kohë të gjatë përkthimit dhe studimit të veprës, “Berati, 300 vjet më parë”, një studim mbi Evlia Çelebiun, qytetin dhe kështjellën e Beratit, të cilën arriti ta daktilografojë duke e plotësuar, zgjeruar dhe thelluar tri herë. Ai nuk qëndron vetëm në rolin e përkthyesit, por arriti të plotësojë veprën me shpjegime, komente dhe fjalorthin mbi terminologjinë e përdorur në të.
Berati i asaj kohe vjen i përshkruar nga gjeografi dhe udhëtari turk Çelebiu, gjatë një udhëtimi të tij të dytë nëpër vise europiane të Perandorisë turke, përfshi vendin tonë dhe nëpër disa shtete të Europës Perëndimore e Veriore.
Vepra e udhëtarit të madh Evlia Çelebiu është me shumë interes jo vetëm për popullin tonë, por edhe për popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Europës Perëndimore.
Megjithëse me ndonjë mangësi apo pasaktësi, ato që shkruan Çelebiu për Beratin janë me interes të jashtëzakonshëm, për arsye të vëllimit dhe shumanshmërisë së informacionit si dhe për karakterin e pazëvendësueshëm e unikal të tij, lidhur me gjendjen ekonomike, shoqërore e politike të vendit në atë kohë. /m.z/e.caushi/