Tashmë prej disa javësh besimtarët mysliman të qytetit të Beratit kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me kërkesën e tyre për të patur një myfti lokal në institucionin që i përfaqëson. Ata kanë reaguar ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar i cili për të tretën herë, emëron një myfti në mënyrë arbitrare pa u konsultuar me grupet e interesit, me besimtarët dhe imamët vendas.

Besimtarët shprehen të shqetësuar se personat të cilët janë emëruar, nuk e njohin situatën aktuale, problematikat dhe traditat e këtij qyteti dhe shprehen se Berati ka persona dinjitoz dhe të mirë arsimuar të cilët janë të gatshëm dhe të aftë për të drejtuar institucionin e Myftinisë Berat, si dhe të përfaqësojë komunitetin e besimtarëve të Beratit

Kjo praktikë e emërimeve arbitrare ka ngjallur reagime në shumë rrethe pasi edhe imamët lokal zëvendësohen me njerëz të pa kualifikuar dhe pa eksperiencën e duhur, duke ulur kështu reputacionin e institucioneve që përfaqësojnë.

Ditën e Premte një ngjarje e pa precedentë ka ndodhur në Berat, ku myftiu i emëruar, Emirjon Vathaj, edhe pse i kontestuar dhe i rrefuzuar nga të gjithë besimtarët e Beratit, këshilli i myftinisë dhe imamët lokal, ka tentuar të drejtojë ceremoninë javore të hytbes së Xhumasë në xhaminë Mbret. Por besimtarët kanë reaguar menjëherë dhe kanë kontestuar këtë veprim absurd të tij. Ata kanë dalë të gjithë jashtë xhamisë duke e lënë “myftiun” të flasë me veten dhe muret.

Besimtarët e Beratit ja kanë adresuar këtë problem KMSH-së, drejtuesit Bujar Spahiu dhe zv. kryetarit Lauren Luli. Ky i fundit erdhi personalisht në Berat së bashku me ish myftiun e Beratit, Baftjar Kellezi, dhe ju bë e qartë se besimtarët e Beratit kanë imam vendas të përgatitur dhe të aftë për ta drejtuar institucionin, ndaj rrefuzojnë kategorikisht një emërim të pa-dakordësuar nga ata.

Nuk është e qartë përse drejtuesit e KMSH vijojnë të insistojnë në emërime të tilla, gjë e cila ngre dyshimet se interesat e tyre shkojnë përtej rregullimit të çështjeve fetare e cila është kompetencë që shteti shqiptar i ka dhënë në një marrëveshje të nënshkruar prej vitit 2009 nga Këshilli i Ministrave./ Nga Hasib Buba

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re