Qyteti i Beratit ka mbetur pa ujë të pishëm ditën e sotme si pasojë e një problemi në rrjet.

Fillimisht është menduar për ndonjë ndërprerje  të ujit të pijshëm që mund të zgjidhej shpejt, por dhe në orarin e drekës nuk ka ardhur uji. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë dhe në orët mbrëmjes, ku uji i pijshëm mungon në të gjithë qytetin.

Në lidhje me këtë situata drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Berat, Pelivan Sinaj bëri me dije se pas verifikimeve në terren rezultoi se bëhej fjalë për një avari serioze në rrjet.

Në afërsi të fshatit Pronovik, në Poliçan tubi kryesor i furnizimit me ujë, “fi 700 ml”, magjistrali që furnizon Beratin dhe Kuçovën është çarë. Çarja e tubit mësohet se ka ndodhur gjatë natës për shkaqe ende të panjohura. Gjithë punonjësit e ujësjellësit, specialistët, mësohet se janë në terren dhe po punojnë për ngjitjen e tubit. Sipas drejtorit Sinaj, parashikohet që gjatë orëve në vijim të riparohet dëmi. Ndërkohë pa ujë të pijshëm janë Berati dhe Kuçova.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re