Nga Namir Lapardhaja

Sipas përcaktimit të qeverisë, si zona të gjelbëra janë klasifikuar ato qarqe apo bashki, të cilat rezultojnë deri më sot me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga Covid 19. Nga masat represive të njëjta për të gjithë, qeveria, pas insistimit të një pjese të ekspertëve dhe kritikave të forta, duket se po vjen tek masat inteligjente, të lehtësimit të diferencuar të lëvizjes së njerëzve dhe hapjes graduale të bizneseve. Se sa do të zgjasë një gjë e tillë, është ende e paqartë, mirëpo decentralizimi i vendimarrjes dhe i menaxhimit të situatës nga një njeri, prej të cilit pritet gjithçka, tek pushteti lokal, të cilët, nëpërmjet grupeve të punës me përfaqësues nga sektorët e shëndetësisë etj., do të ishte një zhvillim pozitiv dhe do kishim një vlerësim më real për hapje graduale dhe të sigurt.

Qarku i Beratit së bashku me bashkitë e tij, sipas kritereve të bëra publike nga ministrja e Shëndetësisë, do të duhej të ishte përfshirë në Zonat e Gjelbëra. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Berati ka pasur një risk të ulët transmetimi dhe infektimi. Rastet e përmendura, të cilat vijojnë të mbahen si numër në hartën e përgjithshme të të infektuarve, janë tejkaluar dhe nga analizat e fundit të gjithë kanë rezultuar negativ. Të qenit të Beratit nën të njëjtën metodologji lëvizjeje si Tirana (293 raste të konfirmuara), Shkodra (104), Durrësi (42) etj., është jo vetëm e padrejtë, por, mbi të gjitha, nuk i shërben zgjidhjes së situatës dhe daljes nga e gjithë kjo marrëzi e përgjithshme, ku janë përfshirë të gjithë.

Berati, një ndër destinacionet turistike vendase dhe të huaja, është duke vuajtur në këto ditë në agoninë e përgjithshme. Mirëpo, është detyrë e autoriteteve shtetërore të shohin problematikën në mënyrë objektive dhe të fillojnë të marrin vërtet masa inteligjiente aty ku duhet dhe ku i takon, duke bërë të mundur hapjen graduale. Berati meriton të kthehet në normalitet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re