15 prill /ATSH – I. Vata/ Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e  Beratit Blendi Klosi tha sot nga Berati se në 5 bashkitë e qarkut, PS do marrë 5 mandate.

Në fjalën e tij, Klosi tha se “kemi mbledhur vota kudo për Partinë Socialiste e për Edi Ramën”.

“Nga Skrapari, Poliçani, Dimali, Kuçova, dhe këtu nga Berati do mbledhim çdo votë për të falënderuar një njeri, Edi Ramën për vizionin e tij, lidershipin, atë çfarë ai ka pasur në mendjen e tij për Beratin, që kur ne nuk e kishim marrë pushtetin. Dhe unë jam dëshmitar, ky qytet duhet të transformohet komplet. Sot falë lidershipit të tij, në këtë qytet në këtë fushatë ne kemi prekur dy industri të reja, krijuar krejtësisht nga vizioni i Edi Ramës”, u shpreh Klosi.

“Turizmi si një pol i rëndësishëm i zhvillimit të qarkut tonë ka marrë një hov dhe një zhvillim të jashtëzakonshëm, prandaj falëminderit Kryeministër. Agroturizmi në zonat rurale kudo është sot një industri e re që prodhon kaq shumë punësim, kaq shumë të ardhura, kaq shumë mirëqenie. Dhe në fakt kjo është detyra e çdo politikani, të prodhojë për njerëzit më shumë para, më shumë mirëqenie, më shumë punësim”, tha ai.

Në vijim, Klosi tha se “ne sot jemi në këtë betejë, çdo ditë së bashku për të siguruar një fitore spektakolare nga Berati”.

“Beratit i takon krenaria e PS-së. 25 prilli do jetë dita e fitores së madhe, ku ne së bashku e gjithë e majta në mazhorancë mbi 65 mijë vota të 2017 do të shkojnë për Partinë Socialiste për vetëm 16 mijë vota që ka kundërshtari ynë politik. Ne duam që në 5 bashkitë të prodhojmë 5 mandate për PS”, tha Klosi.

“Një premtim po jap pa lejen e Kryeministrit, të 5 mandatet tona apo edhe 6 do jemi bashkë në Parlament për të kthyer sytë nga zonat rurale. Fshati i Beratit ka nevojë për investime, sepse ky qark turistik ka nevojë të jetë një, i bashkuar me Edi Ramën me Partinë Socialiste”, tha Klosi. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re