Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Beratit, Blendi Klosi deklaroi se investimet e kanë transformuar tërësisht Beratin gjë që e bën besimplotë në marrjen e 5 mandateve.

Në fjalën e tij, Klosi tha se ne do të jemi të gjithë bashkë për të arritur një rezultat historik që do rikthejë lavdinë e PS në qarkun e Beratit.

“Të gjithë kanë kuptuar se bashkimi i forcave përballë nesh, qarkut të Beratit i ka bërë shumë mirë. Në fakt në teorinë e Tiranës duket se bashkimi i tyre u shton fuqinë, por jo. Këtu në Berat kuptohet qartë se nga 2005 sot është dita e parë që ata nuk gënjejnë dot më se janë e majta ekstreme, se janë të majtë, jemi bashkë, jemi pjesë e qeverisë. Jo, ata janë të gjithë bashkë përballë Edi Ramës, forcës së ndryshimit, përballë punës, pasionit për të ndryshuar çdo gjë dhe këto 8 vite”, tha ai.

Në vijim, Klosi shtoi se këto dy mandate të Edi Ramës sipas tyre, janë arsyeja se ne duhet të largohemi. “Por jo, ne jemi arsyeja më e fortë për të qeverisur Shqipërinë. Ashtu kokëulur filluam mandatin e dytë, sapo morëm pushtetin, dy tre ditë, këtu nga ura e Goricës filluam platformën e bashkëqeverisjes”, u shpreh Klosi.

“U shkarkua një drejtor i rëndësishëm i Beratit, sepse qytetarët ankoheshin. Edhe 5 drejtorë kemi shkarkuar në atë sektor dhe sërish qytetarët ankohen. Pra tregon se kemi shumë punë për të bërë. Kemi dëshmuar se nuk mbajmë asnjë njeri në punë nëse qytetari më i thjeshtë i këtij qarku ankohet. Prandaj dy mandatet e Edi Ramës janë mundësia më e mirë që kemi në këtë fushatë. Çdo segment i këtij qyteti ka ndjerë ndryshim. E prandaj ne jemi bashkë për t’i dhënë fitoren Partisë Socialiste”, tha ai.

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Klosi tha se në qarkun e  Beratit ne jemi një grup kompakt.

“Përfaqësojmë çdo rrymë, çdo zonë, jemi kombinim perfekt që fillon me Sarën, vajza më e re në listën e deputetëve, 22 vjeç e cila vjen nga qyteti i Poliçanit. Klajdi, një djalë i mrekullueshëm, nga ata djem që kuptuan se ndryshimi vjen nga Edi Rama. Por do të prezantoja gjeneralin që ka bërë karrierë më të lartë të Forcave të Armatosura. Rabushja është një vajzë e mrekullueshme që përfaqëson një familje fermere të zonës Kutalli. Jurgeni një arkitekt i ri, përfaqësues i komuniteti më të vjetër të Beratit. Një inxhinier që ka punuar në çdo shtëpi e rrugë muzeale”, tha Klosi.

“Çdo organizatë socialiste ka sjellë në këtë garë shpirtin, sakrificën mundin dhe çdo organizatë do të dalë plus për PS-n. Puna e madhe e strukturës sonë do të bëjë që çdo qendër votimi të jetë plus për PS-në”, tha Klosi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re