Skip to content

Berati mbushet me turistë: Pse qyteti i UNESCO-s po shndërrohet në destinacion kryesor këtë vjeshtë?

Berati, qyteti i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, po tërheq vizitorë vendas e të huaj edhe në këto ditë të para të shtatorit. Gjatë muajve janar-gusht, qytetin e vizituan rreth 500,000 persona, tërhequr nga rrugët e kalldrëmuara, kalaja madhështore dhe lagjet historike Mangalem e Goricë.

Vizitorët nuk e humbasin mundësinë të shohin Muzeun “Onufri”, kanionet e Osumit, kantinat e verës dhe vreshtat përreth. Shtimi i strukturave akomoduese dhe rezervimet e plota për shtator-tetor tregojnë një sezon turistik të jashtëzakonshëm.

Festat kulturore dhe aktivitetet si Festa e Fikut, Dita e Çlirimit të Beratit, “Wine and Stories of Berat” dhe Festivalet e Verës tërheqin turistë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe më gjerë. Guidat lokale bëjnë të mundur që çdo vizitor të kuptojë historinë dhe traditat e qytetit, duke vizituar objektet kryesore kulturore dhe fetare.

Me peizazhet e tij piktoreske, mikpritjen e ngrohtë dhe trashëgiminë të pasur, Berati po bëhet një destinacion kryesor turistik që nuk duhet humbur.