Turizmi në qytetin e një mbi një dritareve nuk njeh stinë. Këtë e vërteton numri i lartë i turistëve edhe gjatë periudhës së vjeshtës, ku rrugët e qytetit 2400 vjeçar po gjallërojnë nga një fluks i lartë i tyre.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha në një intervistë sot për ATSH-në se “në Berat janë bërë shumë investime të reja, të cilat kanë bërë që turizmi ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit të vazhdojë edhe në muajt e vjeshtës.

Në këtë periudhë në vitet e kaluara fluksi i turistëve ka qenë shumë i ulët, ndërkohë që këtë vit nuk po njeh ulje. Nga janari deri më sot numri i turistëve vendas e të huaj e ka kaluar shifrën 720 000”.

Sipas saj, këtë vit në qytetin e Beratit ka patur një shtim në numrin e turistëve nga Anglia dhe nga Holanda.

Merdani vë në dukje se është shtuar oferta në dobi të turizmit si psh: turizëm kulturor, arkitekturor, malor apo edhe hiking në natyrë.

“Këto oferta turistike janë perfekte për stinën e vjeshtës duke qenë se edhe temperaturat nuk janë shumë të larta. Krijimi i shtigjeve të reja në zonat si: Kalaja apo Gorica kanë bërë që të rritet fluksi i turistëve që janë të pasionuar pas ngjitjeve në mal”, theksoi Merdani.
Gjithashtu, shtoi ajo, kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira edhe me subjektet të cilat janë pjesë e turizmit ku vlejnë të përmenden hotelet, bujtinat, restorantet si ato që kanë qenë ekzistente, por edhe ato të cilat janë hapur së fundmi”, tha Merdani.

Në zonën e kalasë dhe tek “Ura e Varur” janë krijuar rampa, të cilat kanë bërë të mundur që edhe ata turistë me aftësi të kufizuara mund të vijnë dhe të vizitojnë qytetin.

Merdani bën të ditur se shtimi i numrit të turistëve vjen si pasojë edhe e aktiviteteve kulturore dhe turistike në Berat.

“Këto muaj na presin aktivitete të ndryshme si: Festivali i Verës, Festa e Ullirit, Festat e Nëntorit, festat e fundvitit, të cilat e kthejnë qytetin në destinacionin e duhur për t’u vizituar. Dhe kjo tashmë është fakt, në Berat nuk flasim për sezon turistik, por për një sezon gjithëvjetor të turizmit”, tha Merdani.

Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re