Nga Kastriot DERVISHI* –Dy peisazhe të Beratit, të vitit 1918, të realizuara nga artistët austriak Anton Hans Karlinsky dhe Othmar Ruzicka plotësojnë akoma më shumë panoramën e qytet tonë gjatë Luftës së Parë Botërore. Janë të njohura mjaft foto nga Arkivi i Shtetit Austriak si dhe filmime por këto dy piktura të mjeshtërve vjenezë padyshim tregojnë interesin e lartë që ka pasur bukuria arkitekturore e Beratit. Artistët austriak Karlinsky dhe Ruzicka ishin të punësuar në (k.u.k. Kriegspressequartier) Qarkun e Shtypit Perandorak dhe Mbretëror.
KPQ u themelua në fillim të Luftës së Parë Botërore më 28 korrik 1914 i shkëputur nga komanda e ushtrisë austro-hungareze. Detyra e KPQ ishte koordinimi i të gjitha informatave për shtyp dhe aktiviteteve propagandistike, duke përfshirë të gjitha masmediat në atë kohë. Në total, gjatë luftës, 550 artistë, shkrimtarë, fotografë, kameramanë dhe gazetarë ishin anëtarë duke përfshirë 280 piktorë lufte (Kriegsmaler) të grupit të artit.
Një numër i madh artistësh të mirënjohur u rekrutuan për të bashkëpunuar midis të cilëve të përmendim emrat e piktorëve mjaft të njohur ekspresionist Alfred Kubin dhe Oskar Kokoschka si dhe shkrimtarin Stefan Zweig.
U krijuan mjaft piktura, vizatime, postera, kartolina, ilustrime, skulptura nga piktorët dhe skulptorët pjesëmarrës.
Artistët u dërguan në front në shërbim të propagandës së luftës për të nxjerrë në pah arritjet e ushtrisë austro-hungareze në front.
Artistët duhej të gjenin motive interesante nga jeta e luftës. Komandat përkatëse duhej t’i mbështesin ata, piktorët e betejës, duke u dhënë sa më shumë mundësi të vëzhgonin skenat luftarake.
Portretistët duhet të përdoreshin për të portretizuar me laps apo ngjyrë udhëheqësit më të lartë ushtarakë.
Të përfshirë vullnetarisht në grupin e piktoreve të luftës, Karlinsky dhe Ruzicka vijnë në Berat ku realizuan këto vepra.
Për momentin, këto dy vepra njohim dhe kemi të dhënat e tyre por nuk kemi adresat se ku gjenden, gjithesesi kemi imazhet e tyre.
Anton Hans Karlinsky (1872–1945)
Artisti austriak Karlinsky studioi në Akademinë e Vjenës nga 1887 deri më 1894. Me fillimin e Luftë së Pare Botërore u angazhua si zëdhënës i rezervës dhe në gusht 1914 u mobilizua në trupat austriake. Tre vitet e para të luftës ai qëndroi pa ndërprerje në frontin e Karpateve dhe në frontin rus. Në pranverë dhe vjeshtë të vitit 1918 ka qenë pjesë e trupave austriake në Shqipëri dhe Mal të Zi, i punësuar nga grupi i artit për të shërbyer në front. Pas mbarimit të luftës kreu disa udhetime studimi në Gjermani, Holandë dhe Itali. Karlinsky kryesisht ka lëvruar peizazhin dhe portretin. Puna e tij është nderuar me çmime të shumta.
Piktura e Beratit është punuar në teknikën e vajit në kanavacë me përmasa 57 x 71 cm dhe paraqet nje pamje masive të Beratit, në plan të parë Ura e Goricës, Kalaja, Gorica dhe qendra e qytetit dhe Mali i Tomorit. Pikturë realiste me nota impresioniste me kontrast të forte drite-hije.
Othmar Ruzicka (1877-1962)
Ruzicka përfundoi Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ai punoi si piktor lufte në Ballkan dhe në Shqipëri. Piktura e tij e pazarit të Beratit e realizuar në verën e vitit 1918 në teknikën e vajit mbi fiber eshte e permasave 47.5 x 60 cm. Berati i Ruzickes është padyshim piktura më e bukur që njohim deri më sot nga qendra e vjetër e qytetit, ku shohim Mangalemin, Kalanë dhe Malin e Shpiragut.
*Piktor, Maj 2019
