3 maj Berati nga nesër është zonë e gjelbër dhe do të implementohen masa lehtësuese në mënyrë që të fillojë faza e rikthimit në normalitetin e ri.

Kështu deklaroi sot kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili theksoi se “kjo fazë është e mundur vetëm falë sakrificave të të gjithë banorëve të qytetit tonë. Kjo duhet të na ndërgjegjësojë edhe më shumë për respektimin e rregullave të reja që të mos bëjmë asnjë hap mbrapa”.

“Automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 09.30 deri në orën 17.30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët”, – tha Demo.

Kryebashkiaku Demo u shpreh se “pensionistët do të lëvizin lirisht në këmbë, deri në orën 08.30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë, ndalohet të dalë nga shtëpia”.

“Ndërsa nga ora 9.30 deri në 17.30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia. Kujdes, ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave, si dhe  ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave”, – tha Demo./k.s/ /a.a/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re