Në mbyllje të sezonit të shkuar asnjë prej skuadrave të qarkut Berat nuk bëri diçka të mirë madje rënia e Tomorit në Kategorinë e Dytë ishte një dështim i vërtetë. Nga sezoni i ardhshëm ky qark pritet të ketë katër skuadra në aktivitetet zyrtare të FSHF-së. nga të cilat tre prej skuadrave do të luajnë në Kategorinë e Dytë(Tomori, Naftëtari dhe Skrapari dhe Osumi në Kategorinë e  Tretë.

Deri para viteve ’90 ishte pikërisht Tomori skuadra simbol e këtij qarku duke përfaqësuar kështu qytetin e Beratin. Madje futbollistët më të talentuar të qarkut tonë nëse donin të bënin karrierë duhet të luanin pikërisht tek Tomori duke e mbajtur këtë skuadër përherë në nivele të larta, që sot kujtohen me nostalgji.

Ndërsa Naftëtari herë pas here tregonte gjëra të mira duke luajtur në nivelin elitar të futbollit shqiptar. Por pas viteve ’90 në qarkun e Beratit ishte vetëm Tomori që mundi të luaj në nivelin superior duke arritur momentin më të rëndësishëm pikërisht në sezonin 1999 – 2000 kur arriti edhe nivelin më historik në futbollin e këtij qyteti duke ia dalë të shpallej nënkampion(në një titull të shumëkontestuar).

Por pikërisht pas këtij momenti Tomori ka vuajtur shumë duke u endur mes Kategorisë së Parë dhe të Dytë dhe kjo si një efekt domino ka ndikuar edhe skuadrat e tjera të qarkut. Vetëm Naftëtari ia ka dalë të luaj disa sezone në Kategorinë e Parë madje herë pas here duke rivalizuar edhe me Tomorin në këtë kategori ndërsa Skrapari e Poliçani ka vuajtur në Kategorinë e Dytë. Shumë shpesh këto skuadra janë plotësuar me futbollist nga skuadrat e moshave të Tomorit ndaj edhe mosqënia e Tomorit në nivelet më të larta ka ndikuar edhe atë që ka ndodhur me skuadrat e tjera.

Në sezonin e ardhshëm pritet një situatë edhe më e pakëndshme pasi Tomori do të garojë në Kategorinë e Dytë dhe pritet të luaj edhe kundra Naftëtarit apo Skraparit në këtë kategori. Kështu do të luhen plot tre derbe të qarkut në nivelin e tretë të futbollit shqiptar. Ndërkohë që pritet që edhe këtë sezon Osumi të regjistrohet për të luajtur në Kategorinë e Tretë.

Ky është një ndër vitet më negative të futbollit në këtë qark por njëkohësisht e bën Beratin qarkun më të dobët në aspektin futbollistik në Shqipëri. Me vetëm katër skuadra kundrejt pesë bashkive(pasi Poliçani nuk e ka më një ekip futbolli) dhe asnjëra nga këto nuk garon në dy nivelet kryesore të futbollit tonë. Rregulli i Kategorisë së Dytë që nuk lejon futbollist jashtë qarkut përkatës për të luajtur me skuadrat e kësaj kategorie do të komplikoj edhe më tepër situatën për Tomorin por edhe Naftëtarin e Skraparin./ Berati.TV

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re