Ky qytet mbetet një nga grishjet më të forta për turizmin e historisë, artit e kulturës në Shqipëri.
Berati ka mbi 24 shekuj histori, art dhe kulturë. Ai është një nga qytetet e rrallë që i takon agimit të njerëzimit dhe që ndërthur në mënyrë harmonike kulturën perëndimore me atë lindore. Që nga viti 2008 është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Gazeta prestigjioze “The Telegraph” publikoi kohë më parë një listë me 30 qytetet më të bukura në Europë. Lista është përgatitur nga një shoqatë japoneze e agjentëve të udhëtimit, ku janë paraqitur 30 destinacionet që nuk duhet humbur. Nga kjo listë, Berati vlerësohet si qyteti i dytë më i bukur në Europë.
Në këtë qytet mund të vizitoni: Urën e Goricës, Kalanë dhe objektet brenda saj, dy lagjet e qytetit Mangalemin dhe Goricën, xhamitë dhe kishat etj.
Kur je në Berat, të kap një joshje magjike duke të ftuar forcërisht të biesh në ëndërr e në çast s’do të duash të zgjohesh nga lumturia që ndjenë që je në Berat! Ndryshe, ai njihet edhe si qyteti i harmonisë fetare e qytetare.
Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas.