Në 8 Korrik të vitit 2008 Berati u regjistrua në listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore. Qysh nga ajo kohë më shumë se një dekadë më pas vëmendja drejt qytetit në dimensionin turistik që përfaqëson është rritur vazhdimisht dhe duket se kjo kërkon ndërhyrje të reja në infrastrukturën e qytetit. Një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit parashikon që me një fond limit 166 milionë leke apo rreth 1.2 milione euro të kryhen disa punime që synojnë ofrimin e mundësive të reja të infrastrukturës për të lehtësuar qarkullimin në qytet sidomos në kohën e pikut turistik. Referuar dokumenteve tre do të jenë rrugët ku do të ndërhyhet.

Së pari Rruga “Ura e Re –SHISH”e cila është riprojektuar bazuar në projektin e viti 2016. Kjo rrugë do të lidhë rrugën Staver Naço me rrugën Antipatrea me anë të një rrethqarkullimi dhe do të shërbejë si një by-pass për devijimin e trafikut të renduar.

Së dyti rruga “Shëtitorja Osumi” e cila fillon nga kryqëzimi me Rrugën Antipatrea dhe vazhdon përgjatë lumit Osum, deri në kryqëzimin me rrugën “Santa Lucia” me një gjatësi rreth 800 m.

Së treti rruga “Santa Lucia” e cila fillon nga kryqëzimi me rrugën “Shëtitorja Osumi” dhe bashkohet me bulevardin për të përfunduar sërisht në rrugën Antipatrea.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është ndryshimi i rrjedhjes së trafikut të rënduar dhe të mjeteve të rënda, projektimi i sinjalistikës së përshtatshme vertikale dhe horizontale, trajtimi i kryqëzimeve, trajtimi i mbi strukturës rrugore si dhe trajtimi i veprave të dëmtuara të artit.

Duke qenë se aktualisht, në Shëtitoren Osumi nuk lejohet kalimi i automjeteve të rënda, i gjithë trafiku i tyre devijohet në rrugën Antipatrea . Kjo padyshim sjell vështirësi në qarkullim dhe vështirëson trafikun e qytetit. Berati është kthyer së fundmi një nga qytetet më të frekuentuara të turistëve dhe bëhet i nevojshëm rikualifikimi urban i rrugëve kryesore të cilat do të përballojnë trafikun e parashikuar. I gjithë segmenti rrugor i marrë në studim është rreth 1.7 km, dhe do të trajtohet përsa i përket nyejve dhe zgjidhjes së tyre, sinjalistikës horizontale dhe vertikale, paketës rrugore aty ku është e nevojshme” thuhet në dokumente.

Ofertat për këtë procedurë të shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në Agjencinë e Prokurimit Publik mund të paraqiten deri në 4 nëntor 2019./ monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re