Evis Berberi, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar në një intervistë me gazetarin Aleksandër Furxhi në Vizion Plus dha detaje lidhur me segmentet rrugore që do të nisin punën këtë vit dhe ato që do të përfundojnë.

Një e treta e popullsisë së vendit jeton në Tiranë dhe fluksi është drejt e jashtë kryeqytetit, ndaj interesi i të gjithëve është se kur do të përfundojë unaza e madhe e Tiranës.

“Unaza e madhe e Tiranës është një vepër madhore e qeverisë shqiptare, e cila jo vetëm i jep frymëmarrje qytetit të Tiranës, por i jep një bypass të gjitha rrugëve, duke nisur që nga Rruga e Arbrit, Thumanë-Kashari, bypass i Tiranës, etj”, tha ai. “Përfundon brenda vitit 2024, e gjithë Unaza e madhe e Tiranës përfundon dhe është në përdorim të qytetarëve për ta aksesuar dhe për ti rritur vlerën pronës”, shtoi ai duke theksuar se mbikalimi pranë ‘pallatit me shigjeta’ do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në atë pjesë të Tiranës.

Korridori i dhjetë adriatiko-jonian është një tjetër projekt i rëndësishëm, cilat janë limitet, afatet për ta përfunduar?

“Thumanë-Kashari është dallëndyshja e parë e këtij korridori pasi ka ecur shumë mirë dhe themi që brenda qershorit të këtij viti ne e kemi në përdorim për të lehtësuar gjithë fluksin e trafikut që vjen nga veriu në drejtim të perëndimit ose jugut, që kalonte në atë rrugë që është sot rruga e Fushë-Krujës me intensitet shumë të madh lëvizjesh dhe me një kategori më të ulët rruge, në sezoinin e verës së këtij viti ne i japim frymëmarrje trafiku dhe e lehtësojmë dhe gradualisht fillojmë punimet  për segmentet e tjera, pasi janë plotësuar garat për tre segmente, Milot-Thumanë, Kasharë-Lekaj dhe Lgeaj-Rrogozhinë”, tha ai duke nënvizuar se janë edhe të tjera akse që do të nisin po këtë vit.

Rruga e Arbrit është një tjetër investim që herë pas herë është dashur që qeveria të ‘fus dorën’ në arkën e shtetit për të ndërhyrë në ndërtimin e saj, sa i ka kushtuar kjo arkës së shtetit?

“Asnjëherë shteti nuk e ka futur dorën në xhep për Rrugën e Arbrit, ajo është një kontratë e lidhur me PPP me një çmim fiks të përcaktuar dhe shteti nuk e ka nxjerrë asnjë qindarkë më tepër se ajo kontratë”, tha ai duke nënvizuar se dëmi ekonomik parashikohet të mbulohet nga kompania koncesionare. “Jo, nuk do të ketë pagesë për Rrugën e Arbrit, është PPP nuk është koncesion me tra”, shtoi ai duke theksuar se kostoja e mirëmbajtjes nuk do të rëndojë mbi qytetarët.

Sipas tij e gjithë Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda vitin 2024, me përfundimin e tunelit të Murrizit. Ai shtoi se i gjithë ‘gjerdani i jugut’ do të përfundojë po këtë vit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re