Pas jehonës që iu bë në rrjetet sociale veprimit të përfaqësuese së Serbisë në konkursin “Miss Intercontinental”, e cila doli në një foto duke bërë me duar simbolin e shqiponjës, Valentina Petrovic ka përfunduar në spital.
Kolegia e saj, Nadja Kljajic ka treguar se Valentina është shtruar në spital pas mbërritjes në Serbi.
“Jam në kontakt të rregullt me menaxherin e saj. Është e papranueshme ajo që ka ndodhur. Ajo ka stres të tmerrshëm, e pret një presion i madh, e kanë mbajtur gjatë në doganë kur është kthyer në Serbi”, ka treguar Nadja.
Fotografia e saj me simbolin e shqiponjës u bë virale, duke e detyruar që të tërhiqej nga gara e konkursit të bukurisë. Ajo pranoi se u pendua lidhur me gjestin e bërë, pasi i ka kushtuar shumë.