Lideri i opozitës Sali Berisha, ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar se nuk po heton kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Gjatë një konference me gazetarët Berisha ka publikuar dy dokumente duke pretenduar se me paratë e inceneratorëve është financuar ndërtimi i një çerdheje  në kryeqytet.

 

SALI BERISHA

 

“Aty në krah të Lal Vjedhësit është famëzi Cafaljone i djegësve, i cili ka financuar me paratë e djegësit, çerdhen e Erion Veliaj dhe Erion Veliaj e paraqet si investim të Bashkisë së Tiranës. Çka nënkupton se sa ka kushtuar ajo çerdhe, Veliaj i ka futur në xhepin e vet. Sepse përndryshe duhej të thoshte se kjo është dhuratë e zotit Cafaljone.”

 

Sipas Berishës, pas publikimit të lajmit për rikonstruksionin e çerdhes, ka pasur një komunikim mes Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.

 

“Mirel Mërtiri, i identifikuar si Mërtiri 3, dërgon linkun e lajmit dhe shkruan: Po kjo ç’ishte?

Përgjigjen e jep Klodian Zoto, i identifikuar si Zoto 4.

-I ke thënë gjë ti atij?

-Jo, asnjëherë.

-Prandaj më bëri çudi.

-Nuk e di, mbase ka folur me Lalin.”

 

Sipas liderit të opozitës dy persona janë përfshirë në këtë çështje.

 

“Pra, del qartë se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri flasin për dy individë. E vërteta është për shkrimtarin me dorë, Ben Blushi. Ben Blushi ka dy anë, mos harroni kurrë se unë e njoh që javën e parë. Me njërën dorë shkruan, me tjetrën vjedh. E ka këtë sëmundje, të lindur. Ben Blushi dhe Erion Veliaj.”

 

Berisha tha se këto dokumente i ka edhe SPAK, por nuk vepron.

 

“Por SKAP i partisë nuk guxon të lëvizë një qime në vjedhjen e shekullit.”

 

Ish-kryeministri Berisha nuk ka sulmuar vetëm prokuroret speciale, por edhe gjyqtaren Irena Gjoka e cila mori vendimin për masën e sigurisë ndaj tij. Berisha ka deklaruar se kjo gjyqtare është shkarkuar nga ai për korrupsion.

 

“Ajo mendon se dokumentet janë zhdukur. Me mire te mendoje dhe pak vete, ka kohe te mendoje.

 

Prej ditës që gjykata vendosi si masë sigurisë detyrim paraqitje për Sali Berishën në lidhje me çështjen e kompleksit Partizani, lideri i opozitës ka artikuluar akuza të ashpra ndaj dy prokuroreve  Kraja Millonai e dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re