Për të 25-ën ditë me radhë simpatizantë dhe mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha janë mbledhur poshtë ballkonit të shtëpisë së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku lideri i opozitës qëndron i mbyllur pas vendimit të GJKKO më 30 dhjetor të vitit të kaluar, duke e lënë në “arrest shtëpie”.

Në fjalën e tij drejtuar mbështetësve ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi pasardhësin e tij në krye të PD, Lulzim Bashën, si njeriun që bën pazare me Edi Ramën dhe i lehtësoi atij kapjen e shtetit ligjor.

Sipas Berishës ai që sot kyçet në pazare të përnatshme me Edi Ramën, dënoi PD-në me qëndrime që ajo kurrë nuk do mund t’i merrte.

“Në gjithë këtë dramë, diktaturën nuk e sollët ju, përkundrazi ju jeni burra dhe gra që gjatë këtyre 10 viteve, mbështetët me të gjithë forcën tuaj, me të gjithë energjitë, idealet, mundësitë tuaja, pluralizmin, votën e lirë, vlerat e vërteta të një shoqërie të lirë. Mbështetët interesin kombëtar.

Por nuk mund të mohohet se drejtimi juaj, se ai që sot kyçet në pazare të përnatshme me Edi Ramën, dënoi PD-në me qëndrime që ajo kurrë nuk do mund t’i merrte. Me qëndrimet, të cilat e lehtësuan Edi Ramën në operacionin e tij makabër të zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin.

Operacione të cilat zhdukën besimin e shqiptarëve se Shqipëria mund të bëhet.

Në këtë kontekst, është në detyrën e çdo demokrati, të shumëfishojë përpjekjet, të dalë në ballë të betejës, t’u rikthejmë shqiptarëve të drejtën e votës së lirë. Të çojmë Shqipërinë drejt fitores.

Ne kemi përpara njeriun më të diskriminuar.

Kemi përpara kryeministrin më të korruptuar të Europës.

Kemi përpara kreun e organizatës më të shëmtuar kriminale.

Kemi përpara ortakun e McGonigalit, ortakun e Pëllumb Gjokës, ortakun e Behar Bajrit.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët, ftoj demokratët kudo që janë të ngrihen, të bashkohen me ju në këtë betejë vendimtarë për fatin e Shqipërisë, rivendosjen e pluralizmit, rivendosjen e dinjitetit njerëzor, rivendosjen e interesit kombëtar, e shpresës dhe besimit, fitores së Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë nuk munguan as akuzat në drejtim të kryeministrit Rama, i cili sipas Berishës në bashkëpunim me George Soros kapën Reformën në Drejtësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re