Lideri i opozitës Sali Berisha ka analizuar sot të gjithë dokumentin prej 200 faqesh, që përmban akuzat e prokurorisë kundër tij dhe bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, duke e cilësuar atë një fletërrufe politike.

 

Së pari Berisha ka sqaruar se procesi i privatizimit të klubit “Partizani” nuk është nisur nga qeveria e drejtuar prej tij.

 

SALI BERISHA

“Procesi i privatizimit të klubit Partizani nuk është nisur nga Sali Berisha, por është nisur nga Fatos Nano, mirëpo Edi Rama dhe larot e tij skapistë i fshehin këto dokumente dhe këtë fakt.”

 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzën e Prokurorisë së Posaçme se ai ka miratuar një vendim  për zgjatjen me një vit të afatit për dorëzimin e dokumenteve të ish-pronarëve, për të kërkuar pronat e tyre për t’i sherbyer dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

 

“Këtu mund të përdorja çdo epitet, por po i pyes këta me nder ish-zyrtarë: po Fatos Nano, që para meje kishte zgjatur me dy vite, afatin në këtë ligj, për pronarët, për dorëzimin e dokumenteve të tyre, e bëri këtë për dhëndrin tim? Sharlatanë mjeranë, jeni turpi i ligjit dhe keni moralin e Edvinit.”

 

Lideri i opozitës Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzën e prokurorisë se ai ka përdorur departamentin e antikorrupsionit në kryeministri për t’i bërë presion ministrisë së Mbrojtjes për privatizimin e klubit “Partizani”.

 

“kryeministri i Shqipërisë ka firmosur gjatë viteve 2005-2008, qindra e qindra urdhra kontrolli që i silleshin atij nga departamenti i luftës kundër korrupsionit. Nuk ka refuzuar një të vetëm.”

 

Ish-kryeministri ka hedhur poshtë akuzën se ndryshoi ligjin për të ndihmuar dhëndrin e tij për të ndërtuar në zonën e kompleksit “Partizani”.

 

“Në dacibaon e tyre, Edi Rama dhe larot e tij kanë aludime, shpifje dhe trillime nga më banalet.Për shembull, u amendua ligji për të ndihmuar pronarët, në një kohë kur ligji është amenduar më 17 korrik 2006, kurse Edi Rama në qershor të vitit 2006, ka firmosur kthimin nga terren sportiv, në terren urban. Dy vite para se të përfundonte privatizimi.”

 

Lideri i opozitës Berisha ka vënë në dukje se lejet e ndërtimit janë dhënë gjithashtu nga Edi Rama si kryetar i bashkisë së Tiranës.

 

“U them këtyre mjeranëve që kanë frikë si Rama nga vetja e tyre, dy leje ndërtimi i ka dhënë Edi Rama. Lejet e sheshndërtimeve i ka dhënë Edi Rama. Dhe janë dokumente që i fshehin këta.Katër leje ndërtimi ka dhënë Erion Veliaj, për të mos folur më tutje.Të tjerat i ka dhënë Lulzim Basha.”

 

Por lideri i opozitës, Sali Berisha, mbrojti edhe dhëndrin e vet në raport me akuzat e prokurorisë.

 

“Tani, për çdo shqiptar, Abi Malltezi është bërë me 20 apo 22, pa qenë në shoqërinë Homeplan por duke qenë ortak i saj me kontratë. Dhe njëherë, kontrata nënkupton përgjegjësi të pakufizuar. Kontratë të regjistruar nga noteri.”

 

Para gazetareve lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi se akuzat e SPAK-ut ndaj tij, nuk do të ndryshojnë asgjë në betejën e opozitës kundër qeverise Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re