Skip to content

Berisha akuzon Ramën për ndërtimin e hotelit në Kanionin e Gjipesë: Janë vërsulur si peshkaqenë, janë marrë 221 mijë metra katrorë tokë publike

c1f531b0 7ac8 4e4f 8aa4 aaf6accd2241

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar hapjen e hetimeve nga SPAK për dosjen “Albanian File”, që lidhet me ndërtimin e hotelit të quajtur “Edi Rama” në zonën e Kanionit të Gjipesë.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha shprehu skepticizëm për mundësinë që hetimi të çojë në përgjegjësi penale për kryeministrin Edi Rama. Ai e cilësoi të pabesueshme që Prokuroria e Posaçme të marrë masa ndaj kreut të qeverisë, duke përdorur një shprehje ironike: “Të mendosh se SPAK-u apo të besosh se SPAK-u do të penalizojë Edi Ramën është njëlloj sikur të mendosh se veshin tënd mund ta shohësh pa pasqyrë”.

Berisha akuzoi Ramën dhe vëllain e tij, Olsi Rama, se kanë përfituar 221 mijë metra katrorë tokë në zonën e Kanionit të Gjipesë, të cilën e përshkroi si pronë publike dhe pa pronarë të regjistruar historikisht.

Sipas tij, për këtë pronë nuk ka pasur dokumente kadastrale që të vërtetonin pretendimet e pronësisë, as nga periudha e Perandorisë, as nga Mbretëria dhe as nga koha e diktaturës. Berisha pretendoi se procesi për përfitimin e tokës nisi pasi Edi Rama mori detyrën e kryeministrit, ndërsa akuzoi edhe familjarë të Spiro Kolekës për përfshirje në këtë çështje.

Duke iu referuar njoftimit të SPAK-ut të 8 nëntorit për nisjen e hetimeve mbi dosjen “Albanian File”, Berisha tha se reagimet ndaj këtij zhvillimi kanë qenë të ndryshme, mes atyre që e kanë mirëpritur dhe personave që shprehen skeptikë për rezultatet e hetimit.

Megjithatë, ai u shpreh se nuk beson që hetimet do të sjellin ndëshkimin e Edi Ramës.