Ndërsa pritet që Sali Berisha të paraqitet në SPAK dhe të merret në pyetje në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, deputetët e opozitës dhe mbështetësit e tij janë mbledhur para Prokurorisë së Posaçme në mbështetje të ish-kryeministrit.

Mësohet se ndër deputetë që po marrin pjesë janë Flamur Nika, Tritan Shehu, Albana Vokshi, ish-deputeti Luçiano Boçi, Eno Bozdo etj.

Kjo është hera e parë që Berisha i përgjigjet thirrjes së SPAK për t’u marrë në pyetje, ndërsa në të gjitha rastet e tjera nuk është paraqitur me argumentin se procedura e ndjekur ndaj tij ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Kujtojmë se, GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës më 30 dhjetor 2023.

Sipas vendimit të gjykatës, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre “që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re