Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një dalje për mediat mesditën e kësaj të hëne, akuzoi Lulzim Bashën se ai sëbashku me Edi Ramën kanë aksione në Portin e ri të Durrësit.

 

Menjëherë pas këtyre deklaratave, ka ardhur reagimi i vetë Lulzim Bashës.

 

Në një postim në Twitter, ai ka hedhur poshtë pretendimet e Berishës, teksa shton se “non grata” sa herë që ka për të fshehur diçka hap thesin e mashtrimeve.

 

Basha gjithashtu shton se Berisha, Meta dhe Rama, të cilët i ka etiketuar si “Trekëndëshi i Bermudës” janë të pandarë në lidhje me korrupsionin, krimin dhe minimin e demokracisë.

 

“E vërteta është e thjeshtë: Bashkë i kanë oligarkët dhe mediat, lejet, kullat, koncesionet e tenderat, bandat dhe policët e gjyqtarët e korruptuar.

 

Sa herë do të fshehë diçka, non grata hap thesin e mashtrimeve dhe shpifjeve. Trekëndëshi i Bermudës është i pandarë në korrupsion, lidhje me krimin dhe minim të demokracisë”, shkruan Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re