Skip to content

Berisha: Ergys Agasi me fitime “përrallore”, brenda pak muajve tejkaloi kapitalin fillestar në 234 mln euro


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se protagonisti kryesor në dosjen e SPAK për Agjencinë Kombëtare të Informacionit (AKSHI) është “baxhanaku i kryeministrit Edi Rama”.

Nga selia blu, në konferencën e sotme për mediat, Berisha tha se atë e ka denoncuar shumë herë edhe në parlament. Ai hodhi akuza edhe ndaj Ergys Agasit, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhër arrest për skandalin në AKSHI.

Duke e cilësuar si “intim Agasi”, duke iu referuar lidhjeve të ngushta të tij me zyrtarë, Berisha tha se ai tejkaloi shifra marramendëse brenda pak muajve nga kapitali fillestar i kompanisë së tij me 1 mijë euro.

“Edhe më e zezë është dosja e AKSHI ku në të vërtetë kopshti privat i Edi Ramës, ka patur si protagonist kryesor në hije baxhanakun, peshkaqenin Armand Frangu. Natyrisht patronazhisten e AKSHI-t Linda Rama, siç është faktuar me dokumente. Frangu, ky mafioz i denoncuar para jush edhe në parlament, e dinë më mirë se unë se Ermal Beqiri është Armand Frangu, Geron Meçe dhe Daniel Shima është Armand Frangu.

AKSHI është agjenci që varet direkt nga kryeministri. Së dyti, që njeriu më intim po të mbyllni e hapni sytë i të gjithë zyrtarëve në Shqipëri është Ergys Agasi, i faktuar. Ndaj edhe ky intim Agasi na rezulton në librat e shtetit me fitime përrallore që nuk i ka njohur në historinë e njerëzimit. Fitime që tejkalojnë brenda 5 muajve kapitalin fillestar 22 milionë herë. Është futur në 15 shtator me 1 mijë euro dhe ka dalë në dhjetor me 234 milionë euro.”, u shpreh Berisha.