Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në protestë, ditën e enjte para bashkisë së Tiranës.

Në fjalën e tij nga ballkoni i banesës, ku prej dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në arrest shtëpie, Berisha u shpreh se mosbindja civile ka rrëzuar mbretër dhe diktatorë.

Ai u shpreh se duhet të marrim në dorë fatin tonë, ndërsa theksoi se qytetarët me protesta do t’i japin përgjigjen përfundimtare Ramës dhe Veliajt.

“Historia ka faktuar se mosbindja civile e qytetarëve ka dridhur diktatura dhe perandoria, se mosbindja civile e qytetarëve ka përmbysur mbretër dhe diktatorë.

Ndaj dhe forca e saj është magjia e fitores së demokracisë në Shqipëri.

Ditën e enjte, qytetarë të Tiranës, të gjithë te bashkia, te shtëpia e parë e juaja, te shtëpia e parë e qytetarëve.

Të gjithë te bashkia për t’i dhënë përgjigjen përfundimtare dyshes Rama-Veliaj, për të shkëputur Tiranën nga kthetrat e këtyre hajnave amorale, që nuk kanë kurrë të ngopur, që përdhosin qytetin dhe qytetarët e këtij vendi.

Do të jetë e pafalshme për cilindo që pret zgjidhje nga drejtësia e Edi Ramës.

Çdo njërin prej nesh, zgjidhjen duhet ta kërkojë te vetja e tij, te guximi i tij, te vendosmëria e tij.

Të mos lejojmë më të luajnë me fatin tonë, të mos lejojmë më të luajnë me fatin e kombit tonë, të luajnë me fatin e Shqipërisë.

Të marrim në dorë fatin tonë, Shqipëria e shqiptarëve, fati i saj në duart e shqiptarëve, liria jonë në duart tona.

Betejë dhe vetëm betejë gjer në fitore.

Krimet që ka kryer Edi Rama, krimet që ka kryer Erion Veliaj janë të tmerrshme.

Ato në çdo kod penal të vendeve të lira meritojnë qindra vite burg dhe nuk shlyhen dot.

Ndaj dhe ora po vjen, dita është afër, Tirana në shesh.

Erion Veliaj, jep dorëheqjen, njofto dorëheqjen, mos u përball me zemërimin e qytetit.

Mos u përball me zemërimin e tmerrshëm të qytetit që e ke vjedhur, e ke mashtruar, që i ke shkatërruar kulturën, urbanistikën.

Jep dorëheqjen, përndryshe nuk ka vend mbi tokë nga qytetarët e Tiranës. Do të kapin kudo që të jesh për zverku dhe drejt atje ku e ke vendin”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re