Lideri i opozitës, Sali Berisha, lajmëroi se raporti për parregullsitë e procesit zgjedhor të 14 majit ka përfunduar dhe javën e ardhshme do të bëhet publik.

 

Gjatë një konference për gazetarët, Berisha theksoi se demokratët kanë mbledhur të gjitha provat, të cilat sipas tij, tregojnë se vullneti i qytetarëve shqiptarë u manipulua.

 

SALI BERISHA

 

“Ky raport dëshmon se zgjedhjet e vitit 2023 ishin një proces totalisht i kontrolluar nga qeveria, një proces në të cilin shqiptarët votuan në një presion si kurrë më parë në 32 vite.”

 

Berisha shpjegoi qëndrimin e demokratëve në raport me reformën zgjedhore, duke nisur nga votimi i detyrueshëm, tek ndryshimi i sistemit.

 

“Jam i hapur plotësisht për proporcional të pastër, për lista të hapura. Proporcionali i pastër nuk mund të injorohet. Ka që tani disa inkonvenienca se rrezikon të pasurit dhe të fortët të fitojnë, por kjo është e drejtë.”

 

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Berisha pranoi se po e humbet betejën e tij në Paris kundër sekretarit amerikan të shtetit, i cili e shpalli “non grata”.

 

Lideri i opozitës ka sqaruar edhe foton me Alma Kaçin, duke pranuar se e ka takuar në zyrën e tij.

 

“Është e vërtetë që ka ardhur, nuk është e vërtetë kurrë se nuk është praktika ime e luftës politike kjo, se Erion Veliaj nuk do ishte kurrë ky që është në detyrë, po unë jam Sali Berisha dhe nuk shkoj në këto veprime. Këtë e di edhe Erion Veliaj vetë.”

 

Ish-Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, u shkarkua nga detyra pak ditë më parë, pas publikimit të një videoje dhe aktualisht ndodhet në burg me akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re