Sali Berisha duket se i ka prishur marrëdhëniet me shoqatën atdhetare “Vatra” të cilën për vite me radhë e përdori si çiflig personal për të mbyllur hallet në Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi në sulm të tyre është hedhur emigrantja Evi Kokalari e cila njihet si një prej ithtareve të Sali Berishës.

Ajo ka bërë një shënim në rrjetet sociale ku pretendon se funksionarët e kësaj shoqate janë blerë nga kryeministri Edi Rama.

Sipas saj, kjo shoqatë duhet t’i kërkonte llogari Departamentit Amerikan të Shtetit se pse e shpallën Sali Berishën “non grata”.

“Interesante!! Vatra në New York i jep respekte Floreta Luli-Faber menjëherë mbas deklaratës së Vatranet Michiganit e cila u distancua pikërisht nga Floreta dhe vizita e Edi Ramës.

Siç e theksova dhe në postimin e mëparshëm, Vatra e New York-ut ka pasur shumë ndryshime këto dy vitet e fundit, sidomos mbas instalimit të Elmi Berishës.

Elmi Berisha është shok i ngushtë me Mark Gjonajn, dhe ky i fundit deri para dy vjetësh nuk fliste me ata të Vatrës madje dhe festat e 28 Nentorit i bënin veç. Tashmë, shoh që i festojnë së bashku.

Asgjë të keqe deri këtu sepse kemi nevojë për unitet, por po të shikosh gjërat më në detaje kupton se Vatra e cila anonte nga e djathta, nuk ishte në interes e asaj pjese të komunitetit Shqiptaro-Amerikan që financohet nga Rama.
Gjithmonë ka pasur diskutime në komunitet për lidhjet e ngushta të Mark Gjonajt, Richard Lukajt’ dhe Edi Ramës. Madje, Lukaj ka bisnese me Ramën si në Amerikë, ashtu dhe në Europë.

Kryetari Buçaj është hequr në mënyrë shumë të shëmtuar nga kryesia e Vatrës. E njëjta gjë ndodhi dhe me Mishton.
Dhe Gazeta Dielli ka pasur disa ndryshime rrënjësore këto kohë. Dalip Greca, ish krye-redaktori i cili gjithnjë ka mbështetur të djathtët, u zëvëndësua nga dikush që shumë thonë nuk po i jep platformën e duhur Sali Berishës gjatë këtyre muajve të vështirë për opozitën Shqiptare.

Gjithashtu, kur Elmi Berisha u bë Kryetar i Vatrës, e detyroi Dalip Grecën të fshinte të gjitha postimet që Dielli kishte patur deri në atë kohë në Facebook. Kjo ishte pak e çuditshme për shumë nga ne dhe kuptohet pyetjet për disa nisen që atëherë.

Ndërkohë, dega e Vatrës Manhattan, emëron si sekretar të saj Ilirjan Blloshmin, një anti-PDist dhe anti-Berishjan të tërbuar, gjë që të bën shumë përshtypje kur konsideron se kryetari i kësaj dege është dikush që mbahet për konservativ, mbështes i Trumpit dhe i Berishës.

Ndërkohë, komuniteti dhe anëtar të Vatrës, mbledhin fonde për Carolyn Maloneyn, që është Kongresmene Demokrate, dhe mirë bëjnë, por kur dëgjon që i kërkoj asaj takim për Ramën me Joe Biden, dhe nuk i kërkojnë asnjë llogari për Blinken që po përdor DASH si vegël pune për Sorosin që po shkatërron opozitën Shqiptare, fillojnë dhe lindin shumë pyetje.

Gjithsesi, duket qartë që drejtimi i Vatrës është marrë peng nga instrumente të Ramës, që bie në kundërshtim me parimin anti-komunist dhe patriotik që Vatra ka mbajtur që në fillimet saj.

Personalisht, kam kohë që kam shprehur pakënaqësine time për Elmi Berishën, madje e kam quajtur një gabim që Vatrës do ti kushtoj, dhe shoh që të tjerë nga komuniteti po e kuptojnë këtë tashmë.

Ironia më e thellë është kur sheh Bahri Omarin në foton kryesore të faqes së tyre në median sociale, ndërkohë që drejtimi që Vatra ka marrë, është komplet në mbështetje të atij që po instalon monizmin në Shqipëri”, shkruan Kokalari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re