Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te krijimi i një ministrie të re dhe situata e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sa i përket krijimit të ministrisë për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Mustafaj u shpreh për News24 se do të jetë e vështirë që kultura të ketë të njëjtën vëmendje si dy degët e tjera.

Sipas tij kryeministri Rama e koncepton qeverisjen si “stil” dhe jo si “metodë”.

Duke komentuar rastin e ish-kryeministrit Berisha, i cili prej disa ditësh ndodhet në arrest shtëpiak, ai theksoi se Rithemelimi duket i vendosur për të vijuar me kauzat e iniciuara nga ish-kreu i qeverisë.

Sipas tij Berisha është “shumë më i zoti” në kushte krizash se në normalitet, ndërsa theksoi se nuk beson se ish-kryeministri do të dorëzohet dhe do të arrijë të provojë pafajësinë e tij.

“Kultura është një nga elementët thelbësorë të identitetit tonë dhe përfaqësimit në botë. Bashkimi i inovacionit me kulturën, janë dy degë të ndryshme dhe është e vështirë të kenë të njëjtën vëmendje nga një ministër që ka edhe ekonominë në dorë.

Ky është një rikompozim qeverie, përderisa krijon një ministri të re dhe bashkon dy të tjera. Ky rikompozim nëse do ketë logjikë në përputhje me nevojat e vendit, do ta shohim në muajt në vijim. Kryeministri ynë e koncepton qeverisjen si stil. Nuk është stil qeverisja, është metodë. Stili dhe metoda janë dy terma të ndryshme.

Nga natyra nuk jam paragjykues dhe nuk dua ta paragjykoj Gonxhen. Ekonomia do jetë problematika e tij, pasi ai nuk ka shkollimin dhe eksperiencën e duhur, por nëse rrethohet nga njerëz të informuar mund t’ia dalë.

Grupi i Rithemelimit ende nuk ka pasur kohë fizike për të treguar dobësitë e shkaktuara nga mungesa fizike e Berishës. Unë shoh vendosmëri të tyre për të vijuar me kauzat e nisura nga Berisha. A do të kenë efikasitetin e Berishës, mbetet për t’u parë, por nuk shoh lëvizje nga aksi ku ishte orientuar kjo parti kur Berisha ishte në seli.

Berisha i drejtohet opinionit publik me mikrofon, jo bashkëpunëtorëve të tij. Jam i bindur se ka kanalet e tij për të komunikuar me ata. Nga njohja e gjatë që kam me Berishën, u siguroj se në kushte krizash është shumë më i zoti se në kushte normaliteti. Në këtë kuptim, nuk besoj se Berisha do të dorëzohet dhe do t’i arrijë objektivat e tij, pra provimin e pafajësisë së tij lidhur me këtë rast”, u shpreh ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re