Ish-kryeministri, Sali Berisha e konsideroi fjalimin e rivalit të tij politik, kryeministrit Rama, si të denjë për maturën e Venezuelës. Menjëherë pas përfundimit të Kongresit të Partisë Socialiste, Berisha organizoi një konferencë për mediat, ku në fokus ishin akuzat ndaj qeverisë.

 

“Sapo përfundoi fjalën tërkuzë, të denjë për maturën e Venezuelës, Edi Rama, i cili u foli shqiptarëve nga satelitët Albania 1, Albania 2, me zotimin solemn se do t’u vjedhim më shumë, do t’u mashtrojmë më shumë dhe do përzëmë më shumë nga ky vend.

Fëmijët, të rinjtë, shqiptarët, nxënësit, rinia që priste nga ky Kuvend, nga ky Kongres i Partisë së Krimit, të dëgjonte një fjalë, konstatoi se ata nuk ekzistonin në fjalorin e liderit global të 1 prillit, që mbajti një fjalim sikur kishte kaluar tërë natën nën efektin e drogave të forta.

Sikur ishte ngjitur diku dhe nuk ekzistonin qytetarët, nuk ekzistonin të rinjtë, nuk ekzistonin bizneset, nuk ekzistonin gratë shqiptarë, nënat, motrat. Sikur problemi numër 1 i pensionistëve ishte shërbëtori i rremë dixhital që do u ofronte Edi Rama”, tha ai.

 

Berisha akuzoi sërish kryeministrin për lidhjen e tij me krimin, duke ironizuar fjalën e Ramës mbi progresin e bërë për integrim në BE.

 

“U ndal gjerësisht në integrimin, proces të cilin ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me Sinaloan e Meksikës, me Bajrët e Shkodrës, me bandat e Durrësit dhe të Elbasanit, me Olsin e tij dhe Xibrakën, proces të cilin me vjedhjet tashmë famoze që jehojnë në të katër anët e Brukselit, djegësit, vetëm njëri prej tyre 1 miliard euro, proces të cilin me Dubai Cityn e tij, me të cilin do të krijojë lavatriçen më të madhe në Europë të parave të drogës dhe vjedhjeve që ka bërë ortaku i vëllait të tij me Bitcoin. Këto nuk ekzistojnë për Europën dhe integrimin. Ekziston vetëm Greqia. Mirëpo që nuk u kthye të përdorte termat e etërve të tij monarko-fashistë, por më pas duke qenë i pasigurt se nuk është vetëm Greqia, por se standardet evropiane, demokratike i kërkojnë të gjitha vendet e lira dhe demokratike të Europës për t’u zbatuar, i kthehej pas aleatëve angloamerikanë, i kthehej boshtit evropian. Se ku e kishte mendjen te boshti, mendja e tij e sëmurë e di”, shtoi ai.

 

Sipas tij, Rama jo vetëm që nuk do integrimin e vendit në BE, por ka në plan vendosjen e regjimit përmes lidhjeve me krimin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re