Keqësia, ligësia dhe amoraliteti politik i Bashës nuk ka fund dhe nuk njeh kufij”. Kështu u shpreh Sali Berisha për Lulzim Bashën këtë të enjte nga Gjirokastra.

Ai tha se situata aktuale në PD nuk është çështje zyrash, por bëhet vetëm për parimin themelor të demokracisë, raportin shumicë-pakicë.

“Siç thotë një fjalë e popullit “e keqja nuk ka fund”. Dhe ajo që po shohim të gjithë së bashku këto tre muaj dëshmon se keqësia dhe ligësia, amoraliteti politik i njeriut për të cilin punuam aq shumë, i njeriut të cilin e mbështetëm me ndershmërinë më të madhe nuk paskan fund dhe nuk njohin asnjë kufi. Miqtë e mi kjo që zhvillohet këto ditë, këto javë, unë i bëj thirrje mençurisë suaj, u bëj thirrje mençurisë së qytetarëve shqiptarë që të mos mashtrohen. Nuk është çështje zyrash. Absolutisht jo. 

Nuk është çështje personash. Absolutisht jo. Ata që duan t’jua paraqesin si çështje zyrash dhe personash ata janë avokatë, janë mercenarë të antivlerave. Çështja dhe beteja që po zhvillohet është një dhe vetëm një, për parimin më themelor të demokracisë, a do të vendosë shumica? A do të qeverisë shumica dhe të respektojë pakicën apo do të qeverisë pakica me dhunë mbi shumicën. 

Kjo është e vërteta. Kjo e çon demokracinë para alternativës shekspiriane “to be or not to be”, “të jesh apo të mos jesh”. Nuk është çështje zyrash. Por një njeri i cili duke shkelur çdo standard të moralit njerëzor dorëzon sovranitetin, kryen akte historike pabesie, ky njeri nuk do kurrsesi që të pranojë verdiktin tuaj, por jo të kësaj salle, por të 44 mijë anëtarëve të PD-së. Ky njeri i cili dy muaj më parë na thoshte se mua nuk më shkarkon Kuvendi për arsye se më kanë votuar anëtarët, tani që kanë votuar 44 mijë anëtarë, 10 mijë më shumë se sa në Qershor, përsëri thotë se unë nuk i njoh. 

Ky njeri kërkon t’u paraqesë ju dhe shqiptarëve 2 mijë persona të mbledhur në një sallë për 5400 delegatë. Pra e shihni. Këtu nuk kemi të bëjmë as me zyrë, as me karrige. Kemi të bëjmë me një parim themelor kush do vendosë. Do vendosë shumica dhe do pranojë pakica, do vendosë shumica dhe do i japë mundësi pakicës që të shprehet lirisht siç i kemi dhënë në statutin tonë me nenin për fraksionet, apo kjo pakicë do përdorë dhunën, do përdorë bandat, do përdorë narkoshtetin për të dominuar mbi shumicën”, tha Berisha.

Berisha tha se “Edi Rama është regjisor kryesor i këtij skenari. Edi Rama përdor një peng të degraduar në çdo rrafsh për të marrë peng pluralizmin politik në Shqipëri. Edi Rama me instinktin e etërve të tij mizorë mendon se erdhi koha të lajë duart me pluralizmin”.

Ndër të tjera, Berisha nuk kurseu ironinë sa i përket Bashës. Sipas liderit historik të demokratëve, Basha ka shpikur njëlloj si Enver Hoxha derën e kryetarit. Aty sipas Berishës mund të futet vetëm “Lulzim Brava për çështje sigurie”.

“Ai në histori turpi, histori më të turpshme më të padëgjuar, si në romanet e Garcia Marquez, apo si në degët e punës së brendshme të diktaturës hoxhiste ka 3 javë që ve blinde e brava dhe ka shndërruar tempullin tonë në një ndërtesë burg, në një ndërtesë bunker për punonjësit e saj. Në një ndërtesë ku futen banditë vrasës kriminelë me emër dhe mbiemër po nuk futen dot deputetët e PD. S’futen dot zyrtarët e saj. Së fundi shpiku njëlloj si Enveri, derën e kryetarit nga e cila mund të futet vetëm Lulzim Brava për çështje sigurie dhe askush tjetër”, tha Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re