Analisti Ergys Mertiri, në një intervistë për Abc News, komentoi akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen McGonigal. Ai tha se Berisha kërkon që të krijojë alibi për vetveten duke sajuar atë që ai i quajti si “përralla” nga ana e tij.

“Berisha kërkon të prodhojë një alibi për vetveten. Ka sajuar një përrallë të madhe si komplot të madh kundër tij. Shkon deri aty sa nëpërmjet ndikimeve që ka Rama me Soros, kanë arritur të kapin DASH dhe të shpallin non grata Berishën. Është një përralë fantasmogorike për t’u besuar.

Problemi është që kur të dalin fakte të reja, Berisha e riprodhon përrallën nga fillimi. Tani nuk thotë se është Soros por del që është FBI. Është duke thënë se Amerika dhe FBI janë të korruptuara dhe se Rama ka arritur të kapë DASH. Pra, DASH qenka një zyrë bashkie te ne që dikush t’i gënjejë dhe të marrin vendime të mëdha për të përjashtuar liderë në vendet e tjera.”, tha ai.

I pyetur se pse mendon se nuk qëndron ideja se Rama ka ndikuar në shpalljen non grata të Berishës, Mertiri tha se Amerika nuk është një shtet “dy lekësh” që të ndikohet nga disa persona të caktuar.

“Sado që të jem kritik të politikës amerikane, nuk mendoj se Amerika është një tigër prej letre apo një shtet dy lekësh ku me 3 njerëz të korruptuar të ndikosh në politikën e saj. Politikën e SHBA-së nuk e korrupton askush. Amerika mund të bëjë një sy qorr por aty ku ajo ka interesat e saj strategjike nuk të fal.

Nuk besoj se McGonigal i ka shitur interesat e Amerikës te rusët. Ka përfituar te ryshfetet e vogla. Unë besoj se çështja e non grata është politikë rajonale e Amerikës dhe thjesht për një moment vendosi për një njeri.”, tha mes të tjerash ai ndërsa komentoi dhe protestën e 11 Shkurtit.

“Pretendon se do të bëjë revolucion dhe do të nisë ’90 nga fillimi. E mbështetur kjo mbi të tilla fabula qesharake, është një revolucion komik dhe nuk bëhet fjalë për politikë. Berisha i thotë këto jo sepse njerëzit do ta besojnë por sepse ka rreth vetes një ushtri të vogël.

Me këtë muk bind as të djathtët. Ka një ushtri që bën zhurmë sepse do të mbajë një grusht një tufë militantësh që po e ndjekin me vete në varr dhe për të qenë i besueshëm, prodhon këto gjëra. Kjo kategori militantësh i ha këto përralla.”, u shpreh mes të tjerash analisti për Abc News.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re