Ish-kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar shefen e misionit të ODIHR, Audrey Glover, duke shprehur besim tek ekspertiza e saj për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 14 majit. Njohja mes Sali Berishës dhe ambasadores Glover është e gjatë dhe nis në vitin 1996 kur ambasadorja Glover shërbeu si shefe e misioni të ODIHR në zgjedhjet e 26 majit.

 

Në atë kohë Berisha artikuloi akuza të ashpra ndaj saj dhe në vitin 2009 kur ajo u kthye në krye të misionit të ODIHR, Berisha, i cili mbante detyrën e kryeministër tentoi ta zëvendësonte. Por raporti i ODIHR për zgjedhjet e 2009 dhe raportet për dy zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe 2019, të cilat gjithashtu u monitoruan nga ambasadorja Glover, e kanë bërë liderin historik të PD, Berisha, të ndryshojë qëndrim ndaj saj.

 

SALI BERISHA

 

“Nuk ka as dashuri as armiqësi të përjetshme. Audrey Glover në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport shumë profesional, raporti i saj në qoftë se do të merrej me seriozitet nga qeveria, Shqipëria nuk do të ishte kurrë në këtë gjendje.”

 

Por Berisha nuk ka ndryshuar qëndrim në raport me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Pak ditë pasi ambasadorja deklaroi se persona të shpallur non grata nuk duhet të drejtojnë vendin, duke përdorur edhe termin zjarrvënës, Berisha deklaroi se ndërhyja e diplomates përbën krim elektoral.

 

“Njerëzit që përdorin gjuhë piromani, me zjarrvënës e kështu, ata kanë probleme me veten e tyre. Pra, zakonisht, një fjalor i tillë është për njerëz në ethe, kur të kapin ethe të forta, atëherë njeriut i turbullohet mendja. E paralajmëroj se ndërhyrja në fushatë elektorale është krim elektoral. Edhe në ligjet e vendit të saj, edhe në ligjet e vendit tim.”

 

Pavarësisht qëndrimit të ambasadores amerikane në Tiranë, Berisha deklaroi se opozita do të fitojë njësoj si në marsin e vitit 1992.

 

Ndërkaq Berisha artikuloi akuza të forta ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj  për lidhje me Iranin. Sipas Berishës ka të dhëna që lidhin djegësin e Tiranës, Erion Veliajn me Ali Aliabadin, sipërmarrës në Iran.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re