Pse opozita dogji mandatet në vitin 2019, fajin ish-kryeministri Sali Berisha e gjen te shumica qeverisëse.

Gjatë një interviste për “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus”, ish-lideri i PD tha se PS nxitoi të përfundonte procedurat që opozita të largohej sa më parë nga Parlamenti.

“Mandatet e opozitës i dogjën Edi Rama dhe Gramoz Ruçi që ekzekutuan në thyerje të çdo ligji, një vendim politik të opozitës. Kjo është arsyeja pse opozita nuk pësoi asnjëlloj izolimi.

Partnerët tanë e panë të qartë se Edi Rama mezi priti që të digjeshin mandatet e opozitës. Përndryshe do të kishte një ndërhyrje të paparë ndaj opozitës, që të rishqyrtonte vendimin.

Nuk mbështetej kurrë një akt i tillë nëse atë nuk do të ekzekutonte me një shpejtësi të rrufeshme, shumica parlamentare. Opozita e kishte 100% seriozisht.

Por kjo është njëra anë. Kurse nëse ana tjetër do të ndiqte procedurën që kërkon 1 muaj kohë për t’u finalizuar, atëherë opozita fajësohej botërisht për aktin.

Edi Rama ishte i etur që të mos kishte opozitën në Parlament. Mbledhja ishte e grupit parlamentar. Aty deklarova që ky vendim mund të ketë këto dy anë.

Unë jam njeri i betimeve dhe nuk lëvizja dot. Opozitën e përzuri Edi Rama. Ai donte Parlamentin pa opozitë.”, deklaroi Berisha!