Ish kryeministri Sali Berisha është deformuar politikisht, duke mbrojtur tashmë çdo biznesmen apo politikan të “rilindjes”. Mjafton të shohësh postimin e fundit të tij, i cili i del në mbrojtje biznesmenit Pandeli Carapuli dhe e kupton se çfarë dëmi po i shkakton opozitës, me qëndrimet e tij kontroverse.

Berisha thotë se Carapulit i janë grabitur pronat në Gjilekë të Dhërmiut, ndërkohë që është tërësisht e kundërta. Mjafton të lexosh me dhjetra artikuj dhe denoncime në internet, për të kuptuar sesi Carapuli ka zënë tokat e banorëve të zonës me dokumenta të falsifikuara. Lajmet për Carapulin kanë mbërritur deri në Greqi, në gazetën “Protothema”, e cila në një artikull thote se po shemben banesat e himariotëve për të favorizuar “shokun e Edi Ramës”.

Berisha dikur e sulmonte Carapulin!

Biznesmeni Carapuli është sulmuar vazhdimisht nga opozita, pasi akuzohet se ka ndërtuar shtëpinë private të Edi Ramës, ka ndërtuar godinën e OSHEE-së mbi vlerën e tregut si dhe ka marrë një sërë tenderash dhe leje ndërtimi. Këtu përfshihet edhe leja zhvillimore për ndërtimin e një fshati turistik në Gjilekë të Dhërmiut.

Paradoksalisht vetë Berisha e ka denoncuar Carapulin për vilat që po ndërton në Dhërmi, si një shpërblim që po i jepet biznesmenit nga “Rilindja”. Sipas Berishës, Carapuli po bënte vila që në to të flinte Edi Rama.

Në një tjetër postim në faqen e tij, Berisha e akuzonte Carapulin se kishte grabitur paratë e shqiptarëve tek një tender të shumëpërfolur, atë për anti-stresin e punonjësve të OSHEE. Berisha e quante “aleanca e qelbësirave” bashkëpunimin mes Ramës dhe Carapulit.

Akuza të tilla kundër Carapulit ka plot nga Berisha. Madje edhe për ndërtimin e Parkut Olimpik, Berisha thotë se e ka fituar tenderin kompania me ofertën më të lartë, Eurocol, në pronësi të Pandeli Carapulit.

Por duket se në krye të “aleancës së qelbësirave” paska qënë vetë ish kryeministri Berisha, i cili sot ka humbur busullën, duke i shkaktuar jo pak dëm opozitës jashtë parlamentare.

Sot Berisha mbron Carapulin, për tokën që po tenton t’i tjetërsojë banorit Andon Bifsha. Historia është e dokumentuar dhe fare e qartë. Carapuli është futur me statusin e investitorit strategjik, në pronën e familjes Bifsha. Ai ka bërë një marrëveshje të njëanshme me njërin prej pjestarëve të familjes, Arianthi Bifsha, ndërkohë që kjo është kundërshtuar nga një tjetër familjar, Andon Bifsha.

Andon Bifsha ka paditur në gjykatë kushëririn e tij Arianthi dhe kompaninë Eurocol. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Vlorë, me Nr. Akti 1570, të datës 07.08.2018, ka vendosur bllokimin e fshatit turistik të Carapulit, deri në zgjidhjen e konfliktit mes kushërinjëve Bifsha.

Por, Berisha këtë fakt nuk e denoncon, që Carapulit i është bllokuar i gjithë resorti për shkak të shkeljeve me pronësinë e tokës. Ai shkon edhe më tej, duke thënë që përveç tokës që Carapuli ka marrë për resortin, të vijojë e të zaptojë 6000 m2 tokë në breg të detit, sepse është investitor strategjik. Kjo pronë ishte sërish në emër të Andon Bifshës dhe as statusi për investitor strategjik që tashmë i ka skaduar Carapulit, nuk ia lejon të marrë këtë truall.

Ky shkrim nuk është për të gjetur se kush ka të drejtë, Carapuli apo Bifsha. Por është për të kuptuar shtyllën kurrizore politike të Berishës, i cili po mbron me zjarr një biznesmen të “rilindjes”…mbase për të kapur ndonjë vilë buzë detit.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re