Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar protesta kundër qeverisë nëse rritet çmimi i energjisë elektrike.

 

Në një konferencë para gazetarëve Berisha deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend i cili koston e prodhimit të energjisë e ka 0.9 lekë dhe ua shet qytetarëve të tij me çmim 98 herë mbi koston, kurse bizneseve mbi 210 herë mbi koston.

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

“Unë i deklaroj se nëse guxon të rrisësh çmimin e energjisë për konsumatorin do përballesh me revoltën më të fuqishme. U them qytetarëve të bëhen gati.”

 

Sipas Berishës në Shqipëri ka krizë të vjedhjes dhe jo krizë të energjisë elektrike.

 

“Çmimi që thotë Edi Rama, 600 euro në bursë, është 300 euro në bursë dhe 300 euro në xhepin e qeveritarëve. Ekipi i vjedhjes me energjisë ka shitur me 40 euro, kur ajo shitej në euro me 130 euro.”

 

Para gazetarëve Berisha komentoi edhe mungesën e ftesës për të gjatë ceremonive për 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.

 

“Zonja Kim duke mos më ftuar më nderoi. Kjo për faktin se ajo ka dhënë, me qëndrimet e saj, ka dëmtuar më shumë bashkë me Edi Ramën dhe mafien e George Sorosin më shumë se kushdo tjetër, perceptimin dhe imazhin që kanë pasur shqiptarët për SHBA-në.”

 

Ndërkaq kryetari i PD i doli në mbrojtje aleatit të tij Ilir Meta, duke theksuar se nuk ka asnjë provë për bashkëpunimin e tij me Sigurimin e Shtetit.

 

“Dje pasdite dhe sot – unë kam dokumentet në dorë – nuk ka akt më të shëmtuar. Edi Rama bashkë me Shërbimin Informativ që ka organizuar, e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth, e ka stisur në mënyrën më të trashë. Cilido që lexon e-mailin, e ka të qartë se I. M., është Ilir Murati, nga Librazhdi. Dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe s’ka asnjë lidhje, asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën. Këtë e kanë dituar këta.”

 

Kryetari i Partisë Demokratike Berisha e bëri të qartë se së bashku me drejtuesin e Partisë së Lirisë Ilir Meta do të jenë së bashku në betejën për rrëzimin e qeverisë Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re