Lideri i opozitës Sali Berisha i ka dalë në mbrojtje aleatit të tij Ilir Meta pak minuta pasi kryetari i Partisë së Lirisë dëshmoi në Prokurorinë e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për çështjen Cez-Dia.

 

Gjatë një konference me gazetarët Berisha, e cilësoi këtë një proces politik duke akuzuar SPAK-un se është vendosur në shërbim të kryeministri Edi Rama duke sulmuar opozitën.

 

 

SALI BERISHA

“A ke dyshim ti qe mund te jete tjeter pas gjahut politik ndaj opozitës, përveç Edi Ramës. Po a nuk jam unë që këtu para jush kam denoncuar takimet e fshehta Rama-Dumani? A nuk jam unë këtu para jush që kam denoncuar lidhjet monstruoze të krimit të skapistëve? A nuk jam unë këtu që kam deklaruar skapistët me lidhje të tmerrshme me bandat dhe krimin? Si mund të dyshohet se nuk është Edi Rama prapa kësaj?”

 

Ish-kryeministri Berisha akuzat më të ashpra i artikuloi ndaj dy prokurorëve special Arben Kraja e Enkeleda Millonai e cila po heton liderin e opozitës për çështjen “Partizani”.

 

 

“Arben Kraja ka lënë detyrën për shkak të ligjit të lustracionit, të iniciuar nga Sali Berisha dhe të votuar në parlament. Në kodin më minimal moral, ai nuk mund të merrte kurrë në shqyrtim një çështje të Berishës. Po ky pyet Edi Rama për ligj kur i përdor si të dojë? A e dini ju që Mellonai, prokurorja e bandës së Elbasanit, përfaqësuesja e bandës së Elbasanit, merr pak çfarë ka bërë me djegësin e Elbasanit prej Qazim Sejdinit, që ishte kapoja, Don Lala, i denoncuar nga unë kushedi sa herë.”

 

Nga ana tjetër lideri i opozitës Sali Berisha përsëriti qëndrimin se është kundër marrëveshjes së firmosur në Romë e cila parashikon ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri për të pritur emigrantë nga Italia.

 

“Duke shprehur mirënjohje më të thellë dhe konsideratën më të thellë për Italinë mike, kombin italian dhe autoritetet italiane, PD deklaron se nuk mund të pranojë një marrëveshje që vjen në shkelje të hapur të Kushtetutës së vendit, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ligjeve ndërkombëtare të refugjatëve dhe marrëveshjes bilaterale shqiptaro-italiane për refugjatët.”

 

Në raport me aksionin e opozitës, Berisha paralajmëroi se në rast se kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore nuk plotësohen deputetët demokratë do të hyjnë në grevë urie.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re