Lideri i opozites Sali Berisha mbylli fushatën elektorale në Lushnje duke përcjellë mesazhin se të dielën zhvillohen zgjedhjet më të rëndësishme në 3 dekadat e fundit.

 

Sipas Berishës, në këto zgjedhje nuk votohet për politikanët por për të ardhmen e qytetarëve, për t’i dhënë fund mënyrës si ka qeverisur kryeminstri Edi Rama.

 

SALI BERISHA

 

“A nuk kërkoi ky më parë, më jepni mua tepsinë. A nuk u sul me tërbim për të vjedhur pasuritë e qytetarëve shqiptarë, a nuk përdori ky, bordet për të rritur çmimet, a nuk rriti ky çmimin e energjisë elektrike për bizneset me 220 lekë”

 

Lideri historik i demokratëve akuzoi shefin e qeverisë se i ka lënë shqiptarët në kufijte e mbijetesës.

 

“Cili është motivi i Edi Ramës. Hë mo se nuk vdes njeri për bukë. Po nuk është çështja s’vdes njeri për bukë, është të jetosh si njeri.”

 

Sipas Berishës, shkak për situatën ekonomike të shqiptarëve është korrupsioni i qeverisë

 

Më herët në Malësinë e Madhe Berisha ftoi qytetarët të dalin masivisht në votime ditën e dielë duke replikuar në distancë me kryeministrin Edi Rama.

 

 “Ky është qeveritari i parë që i thotë qytetarëve mos dilni në votime. Kaq frikë dhe tmerr ka ky nga vota juaj. Saqë ju thotë: aman mos më gjuani me votën tuaj, aman mos voton kundër meje. Edi je i pashpresë! Kjo tregon se ai është i pashpresë.”

 

Berisha u ka bërë apel banorëve të Malësisë së Madhe të votojnë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duke u shprehur optimist se zgjedhjet e së dielës do të shënojnë triumfin e opozitës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re