Nga Namir Lapardhaja

Gjatë dy muajve, në krye të “Foltores”, ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka prodhuar gënjeshtra dhe mashtrime aq sa nuk ka artikuluar në 30 vite të marra së bashku.

Përpara turmës që nuk ka vlerë e vëreteta, por emocioni, ai ka stisur një konspiracion botëror kundër tij, sikur të ishte në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare. Ashtu sikurse ka thurur mashtrime qesharake të tipit: “Klevis Balliu u hoq nga lista e PD-së me urdhër të Edi Ramës” apo të llojit absurd: “Lulzim Basha ka ndarë lekët e Toyota Yaris-it me Taulant Ballën”.

Gjatë kësaj kohe, nëse do të uleshim dhe do t’i numëronim, do të gjenim me qindra të tilla.

E fundit ishte ajo e “Foltores” në Devoll të Korçës, ku, duke shfrytëzuar popullaritetin e Ridvan Bodes në vendlindjen e tij, Berisha inskenoi një debat me Lulzim Bashën, në të cilin, sipas tij, i ka kërkuar llogari kreut të PD-së, se pse e ka hequr nga lista “njohësin më të shkëlqyer të financave në këtë vend….gardianin jashtëzakonisht të çmuar të parave publike”.

Berisha nuk e ka rrëfyer kurrë më parë një gjë të tillë. E thënë 5 vjet më vonë, ajo nuk ka asnjë vlerë.

Ndonëse unë kam dyshime të forta, realisht ne nuk mund ta vërtetojmë nëse një gjë e tillë ka ndodhur apo jo, mirëpo lideri, drejtuesi, politikani njihet nga aktet dhe qëndrimet, jo nga pëshpërimat zyrave apo korridoreve.

Berisha ka pasur autoritetin dhe mundësinë për të folur në kohën e duhur për gjërat e duhura, por ai nuk e ka bërë, ndaj sot është i pabesueshëm. Prandaj, ai sot është bashkëfajtor në gjithçka që ka shkuar keq në PD gjatë këtyre viteve.

Unë nuk kam qenë askush në Partinë Demokratike, nuk kam pasur asnjë lidhje me Ridvan Boden, nuk kam ndarë interesa të përbashkëta me të, nuk do ta kisha takuar asnjëherë nëse nuk do të kishte ardhur për një periudhë të shkurtër kohore përprapa zgjedhjeve të vitit 2017 në Berat, nuk më ka bërë asnjë nder, ndonëse ka qenë numri dy i PD-së për një kohë të gjatë, mirëpo kam reaguar publikisht për të. Aq sa kam mundur, por e kam bërë publikisht.

Një gjë e tillë mund të më ketë penalizuar politikisht, mirëpo e vërteta duhet thënë në kohën dhe momentin e duhur, sepse vetëm atëherë ka vlerë.

Ironia e gjithë kësaj është se një pjesë e atyre që janë sot mbështetës të flaktë të “Foltores”, madje edhe deputet të PD-së, kanë reaguar privatisht për këtë qëndrim timin, ashtu sikurse janë shqetësuar tej mase kur unë nuk kam mbështetur liderin e tyre Basha në zgjedhjet e fundit për kryetar PD-je.

Shkrimin tim për Ridvan Boden po e bëj share nga portali që më identifikon si poliagjent, herë të Edi Ramës, herë të Mero Bazes, herë të Genc Pollos dhe, tash, së fundi, të Lulzim Bashës, por kjo nuk më shqetëson, sepse kam bindjen se njeriu njihet nga qëndrimet publike.

 

https://www.cna.al/2018/11/24/ridvan-bode-nje-lajm-i-mire-per-ekonomine-dhe-nje-jo-i-mire-per-pd-ne/?fbclid=IwAR1vRz2oKUt-x1VMCsApPWhd7hSaiql0lUgqSAuH8QB_3Pf0SE0TtvbqU88

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re