Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mënyrë të vendosur ka deklaruar se nuk e njeh referendumin e mbajtur sot nga Sali Berisha për shkarkimin e tij.
Në një komunikim për gazetarët nga selia blu, Basha u shpreh se sot kishte vetëm një aktivitet në PD dhe ky ishte kuvendi kombëtar.
I pyetur nga gazetarët se ka zëra që Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit mund të vijnë në seli për të lexuar rezultatet e referendumit, Basha këmbëngul se nuk ka pasur një të tillë sot.
“Kjo është shtëpia e demokratëve dhe demokratët janë krenarë për atë që kanë arritur.
E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve. Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve, do të qëndrojmë me vetëdije për të gjithë gabimet e të shkuarës.
Gabimet e të kaluarës kur përsëritën në mënyrë tragjikomike nuk do ta marrin peng PD”, tha Basha.
