VALENTINA MADANI/ Partia Demokratike nga radhët e Rithemelimit miratoi dje ndryshimet statutore, duke mundësuar që kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, të emërohen automatikisht nënkryetarë partie.

Sipas Flamur Nokës, ky është akti final i bashkimit tërësor të grupit opozitar. Ndryshimet statutore u miratuan pas tri orësh debat me dyer të mbyllura, ndërkohë që 6 vota ishin kundër këtyre ndryshimeve. Amendimet që u diskutuan më herët edhe në Kryesi, pas një debati prej tri orësh, u vendos që të bëhen me dispozitë tranzitore dhe të aplikohen vetëm për këtë rast. Sipas ndryshimeve statutore, kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Kuvendit janë automatikisht nënkryetarë të Partisë Demokratike, pa qenë nevoja që t’i nënshtrohen votimit.

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka, e cilësoi ditë historike për demokratët, bashkimin në një të dy grupimeve, duke hedhur poshtë zërat se procesi ishte antistatutor.

“Kryesia votoi në mënyrë unanime draftin dhe ia çoi për miratim Këshillit Kombëtar, që kishte vetëm 6 vota kundër dhe e votoi pothuajse në mënyrë unanime këtë proces bashkimi aq shumë të pritur. Procesi ka shkuar konform statutit pikë për pikë. Sot në Këshillin Kombëtar janë përfaqësuesit e demokratëve. Vota vendosi këtë bashkim”,  deklaroi Flamur Noka.

Me ndryshimet e reja statutore, anëtarë kryesie pa kaluar në votim bëhen automatikisht edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve parlamentare, mes të cilëve deputetët Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Dhurata Çupi, Tomor Alizoti, Zheni Gjergji, Helidon Bushati dhe Ferdinand Xhaferri. Pas përfshirjes së grupimit të Gazment Bardhit në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha, pritet që të nisë edhe procesi i zgjedhjes së 19 krerëve të degëve, të cilëve u ka mbaruar afati i komandimit.

Kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, deklaroi në fjalën e tij se këto ndryshime janë shumë të rëndësishme për shkak të ndikimit që do ketë tek qytetarët. Sipas tij, ndryshimet e reja kanë në thelb bashkimin e demokratëve.

“Këshilli Kombëtar ka të drejtën të marrë vendime për ndryshime statutore. Këto ndryshime janë domosdoshmëri për bashkimin e PD. Efekti bashkimit ka ndikim të madh jo vetëm tek anëtarësia, por edhe te qytetarët. Sot propozojmë ndryshimin statutor që u diskutua edhe në kryesi. U arrit mirëkuptim për formulimin. Ky ndryshim është konsultuar edhe me kryetarin Berisha. Në kryesi diskutuam gjatë dhe patëm mendime të ndryshme, por në fund arritëm në dakordësi”, tha Paloka.

Por, anëtarja e Këshillit, Endira Bushati, i ka kërkuar llogari Palokës për mosvënien në dijeni të rendit të ditës.

“E mësova nga mediat rendin e ditës. Ju z. Paloka s’më kthyet përgjigje për rendin e ditës. Ne nuk jemi dele që ta marrim vesh rendin nga media. Ju thatë me propozim të kryesisë bëjeni transparente vendimmarrjen, opinionet pro ose kundër. Neni 54 statut theksohet: Gjykata partisë bën interpretimin e statutit. Kërkoj interpretim nga gjykata”, theksoi Bushati.

Deputeti Flamur Noka tha se ndryshimet statutore vijnë në kuadër të bashkimit të demokratëve.

“Kryesia e PD me propozim të kryetarit sjell në kuadrin e bashkimit të shumëpritur, që ka qenë kryefjalë e Kuvendit të jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit. Pas negociatash, grupi parlamentar u bashkua. Kryetari i partisë dhe kryesia propozojnë ndryshime statutore për bashkimin. Për çështje të jashtëzakonshme ramë dakord në mbledhjet e mëparshme, vendosëm t’ia kalojmë Këshillit Kombëtar ndryshimet statutore. Dispozita tranzitore: Neni 46.pika 3 hiqet fjalia e parë; 2 nënkryetar dhe në nenin 51 hiqet neni ku përcaktohen 2 nënkryetar PD. Neni 51, ndryshon. Kreu i grupit parlamentar si edhe nënkryetari i kuvendit automatikisht për shkak të funksionit janë nënkryetarë të PD. Sot me miratimin e tyre bëjmë aktin final të bashkimit tërësor. Vendimi i Këshillit Kombëtar është historik në dobi të bashkimit të PD”, – deklaroi Flamur Noka. Më tej ai vuri theksin edhe te zgjedhjet në disa degë të partisë, të cilat drejtohen nga kryetarë të komanduar. “Kryesia e PD e mbledhur para 1 jave shqyrtoi vakumin institucional në 19 degë që kandiduan për zgjedhjet vendore. Kemi 19 kryetarë të komanduar, të cilëve u ka përfunduar afati i komandimit. Ky proces vjen pas bashkimit tonë që ka dhënë impakt pozitiv tek anëtarësia”, – tha Noka.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re