Ish-kryeministri, Sali Berisha e ka konsideruar aksionin opozitar si një betejë jetike për qytetarët. Në fjalën para qytetarëve të Kavajës, Berisha deklaroi se nuk bëhet fjalë për interesat e tij personal, siç konsiderohet nga kundërshtarët, por për interesat e sovranit.

 

Ai iu bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen ‘betejës’ së tij.

 

“Ai që mund të mendojë se po merremi në personale, jo mor jo, ne po merremi për interesin jetik këtu, se nëse ne e tolerojmë këtu, ai mbi qytetarët do vazhdojë të bëjë gjëmën, por ne nuk do ta lejojmë atë.

Sot, ne jemi në protestë në Parlament, por sot Shqipëria ka nevojë për Kavajën në këmbë. Kavaja u çlirua e para, Kavaja votoi kryetarin e saj të bashkisë dhe nuk u mposht as nga bandat as nga paratë e krimit. Kavaja është mision, mision kombëtar të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, ai përsëriti kërkesat e opozitës, për të cilat tha se po rrëzohen nga mazhoranca, në kundërshtim me ligjin.

 

“Ky nuk na lejon Komisionin dhe na thotë merruni me filanin-fistekun po me mua s’keni pune se jam mbi ligjin. Po ne s’mund ta bëjmë këtë. Sepse në momentin që do ta bëjmë këtë, kemi tradhëtuar besimin tuaj.

Sot në Shqipëri është vendosur narko-diktatura, sundimi i bandave. Çfarë demokracie ka kur vota e qytetarëve shndërrohet në krim, dhe krimi në vote”, nënvizoi ai.

 

Berisha shtoi se do të vijojë betejën e tij në emër të qytetarëve, ndonëse mazhoranca po bën gjithçka për të mos e lejuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re