Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në ceremoninë në nderim të 4 martirëve që u vranë më 2 Prill të vitit 1991, në masakrën e fundit të Komunizmit në Shqipëri, në Shkodër.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se martirët e 2 Prillit janë burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj.

Berisha: Të dashur prindër dhe familjarë të martirëve të votës së lirë, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, i dashur zoti Luçiano Boçi, nënkryetar i PD dhe drejtues politik i këtij qarku.

Zonja Eliona Shkreli, kryetare e PD. Të nderuar deputetë dhe kandidatët për deputetë të PD të qarkut të Shkodrës.

Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme për martirët e votës së lirë. Heronjtë e vërtetë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.

Arben Brocin, themelues i pluralizmit dhe PD-së.

Bujanar Bishanakun, aktivist i shquar.

Nazmi Kryeziun, aktivist i shquar i PD dhe Besnik Cekën, aktivist i shquar i kësaj partie.

Por ne nderojmë gjithashtu edhe 87 qytetarë të Shkodrës, që u plagosën në atë ditë masakre, të cilën Shkodra nuk e kishte regjistruar ndonjëherë në kohërat e reja në memorien e saj.

Më 2 prill të vitit 1991, diktatori i fundit stalinist në Europë, Ramiz Alia, i cili kishte pranuar zgjedhjet pluraliste, vendosi të festojë fitoren e grabitur në Shqipëri të zgjedhjeve me gjakun e të rinjve të Shkodrës nën motivin se pushteti do gjak, se pushteti vjen nga gjaku.

Gjakësorë siç ishin, ata i dëshmuan Shkodrës dhe Shqipërisë se si pushtues të brendshëm, nuk dallonin aspak nga pushtuesit e tjerë.

Madje kishin pabesinë dhe mizorinë në shpirtin e tyre, nuk ngurruan të lajnë me gjak këtë qytet të bekuar.

Të dashur miq, sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë, të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve të Shkodrës që u plagosën atë ditë, pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

Zgjoi revoltën, dënimin e ashpër të mbarë opinionit demokratik evropian, të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Kongresit të SHBA.

Me të vërtetë martirët e votësë lirë u ndanë atë ditë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë, në votën e lirë.

Ndaj dhe ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj.

Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko