Ish-kryeministri, Sali Berisha nga Vlora ku u takua me demokratët e këtij qyteti për 31-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike e konsideroi Lulzim Bashën tradhtar të demokratëve.

Berisha u shpreh gjithashtu se Basha do të hyjë në histori si politikani më i papërgjegjshëm ndaj Partisë Demokratike.

“Mbështesëit tanë në këtë qark dhe qytet dhanë gjithçka në këto 8 vjet por mjerisht u gjetën sistematikisht të tradhtuar nga një njeri që do të hyjë në historinë politike të Shqipërisë si politikani më i papërgjegjshëm ndaj forcës së tij politike dhe ndaj vendit.

Sot ne kemi rast të ndjehemi krenarë, sepse në qoftë se në hedhim një sy në hartën politike të Europës post komuniste, forcat politike si e jona janë arkivuar në histori, përveç se në Hungari, Fideszi. Mirëpo ne mbijetuam. Në rast se Fideszi pati fatin të ketë një lider, PD pati fatin e keq të ketë në krye një njeri që e çoi nga disfata në distatë.

E megjithatë, ne në 25 Prill ishim së bashku 620 mijë shqiptarë, pra një forcë politike madhore por pa një kokë. Nga këta 620 mijë vetë, 19% e tyre i besonin kryetarit të PD. E vërteta është që 81%, më vizionarët nuk kishin besim te ai njeri sepse ai nuk meritonte besimin e demokratëve.

Më datën 27 Prill në vend që të ftonte demokatët të mbushnin sheshet për të mos pranuar një palë zgjedhje të cilat u zhvilluan me sistemin më antidemokratik të patronazhistëve, u zhvilluan me blerjet masive të votës, këto njeriu që e shpalli masakrën elektorale do shndërrohej në tradhtarin absolut të demokratëve shqiptarë.

U mor me manipulimin e votës së tij për të garantuar karrigen. Mirëpo përsëri në dallim nga parashikimet se ne mund të shuheshim, ne sot jemi në këmbë dhe ne arritëm me idealet tona të shndërrojmë një vit të tmerrshëm për shqiptarët, ta mbyllim në një vit shprese për shqiptarët sepse ngritëm PD në një opozitë të vërtetë, si forcë politike që i besojnë shqiptarët. Sot PD është ngritur mbi nivelin e Prillit të vitit 2021”, u shpreh Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re